Nishani:UEFA e padrejtë, të përpiqemi që racistët të marrin dënimin e merituar
Tiranë - Presidenti Bujar Nishani ka deklaruar hapur sot se vendimi i dhënë nga UEFA lidhur me ndeshjen Serbi – Shqipëri, nuk qe as i drejtë, as i i ekuilibruar dhe as një shembull i mirë. Sipas Nishanit, ky vendim e bënte veshin të shurdhër ndaj racizmit dhe për të arsye, ai ka ftuar shqiptarët të bashkohen në një zë që racizmi të dënohet pasi drejtësia do t’i shërbente më mirë se çdo gjë, fqinjësisë së mirë. Ja mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës Bujar Nishani në Fb“Përtej interpretimit teknik të UEFA-s dhe të qënit të saj një autoritet i pavarur, vendimi i dhënë nuk qe as i drejtë, as i ekuilibruar dhe as një shembull i mirë. Sporti i bashkon popujt. Por po njëlloj edhe drejtësia, e cila kur s'është e tillë më shumë dëmton se sa bashkon.Dënimi ndaj racizmit ka qënë një fitore e madhe e vlerave perëndimore, e cila është arritur me shumë sakrifica.Të bësh në 2014 veshin shurdhër ndaj akuzave për racizëm dhe dhunës së ushtruar nga motive raciste është një qëndrim që bie ndesh jo vetëm me vlerat që përcjell sporti, si solidariteti dhe olimpizmi, por edhe me vlerat e Bashkimit Evropian ku shqiptarët kudo në rajon aspirojnë të integrohen. Ftoj të gjithë, të shtojnë përpjekjet që zëri që kërkon dënimin e racizmit të dëgjohet, e fajtorët të marrin dënimin që meritojnë. Kjo drejtësi do t'i shërbente më mirë se çdo gjë, fqinjësisë së mirë në rajon.”ar.sh/Oranews.tv