Kosova pranohet anëtare e përkohshme e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar
Bordi ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar e ka pranuar Komitetin Olimpik të Kosovës, anëtar me të drejta të përkohshme, ndërkohë që në dhjetor të këtij viti pritet t’i jepet statusi i anëtarit me të drejta të plota.Lajmi për këtë, ka ardhur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar te Komiteti Olimpik i Kosovës, dhe kryetari i kësaj të fundit, Besim Hasani.“Lajmi thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për tu pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, me status të përkohshëm, Ndërsa, statusi do të avancohet në dhjetor ( të këtij viti) kur mbahet sesioni i jashtëzakonshëm i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, sepse është kompetencë ekskluzive e sesionit për ta pranuar një komitet olimpik me kushte të barabarta me të gjitha komitetet olimpike kombëtare të vendeve tjera”, ka theksuar Hasani.Hasani, tha se kjo nënkupton se në mënyrë automatike u hapen dyert të gjitha federatave tjera të papranuara dhe por edhe sportistëve të Kosovës që të marrin pjesë në gara për fitimin e kuotave që do t’i kualifikonin për pjesëmarrje në lojërat olimpike në vitin 2016 që do të mbahen në Rio de Janeiro, në Brazil.Ministri në largim i Kulturës Rinisë dhe Sportit Memli Krasniqi thotë se pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, është realizmin i ëndrrës së hershme të gjeneratave të tëra të sportistëve të Kosovës, të cilët për më shumë se 2 dekada kanë qenë të izoluar, në mënyrën, siç e quan ai, më të padrejtë të mundshme.Nga datat 8-10 dhjetor, në Monaco do të mbahet Sesioni i Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, ku do të shtrohet edhe çështja e dhënies së statusit të anëtarit të barabartë për Komitetin Olimpik të Kosovës.Hasani thekson se praktikat e deritashme, japin për të kuptuar se Kosova do ta marrë atë status..“Deri më tash, në historikun e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, nuk ka ndodhur që një vendim i Bordit ekzekutiv të refuzohet nga Sesioni. Kështu që, po besoj, sepse konsiderohet që Bordi ekzekutiv i analizon gjërat mirë dhe nuk ngutet, si dhe kur merr vendime, ato janë meritore"."Por, megjithatë, kompetenca e Bordit ekzekutiv është ta pranoj përkohësisht, ndërsa kompetencë e sesionit është që t’ia japë statusin me të drejta të plota. Dallimi i vetëm i faktit që të jesh i pranuar përkohesisht nga ajo me të drejta të plota, është se nuk ke të drejtë të votosh. Përndryshe, të gjitha të drejtat tjera janë të barabarta”, shprehet Hasani.Pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë konsiderohet si kurorëzim i përpjekjeve që u hap rrugën sportistëve të Kosovës që zyrtarisht të marrin pjesë në garat olimpike./REL/