Jacobson në Deçan: Hiqni dorë nga protestat, të respektohet vendimi i gjykatës

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar, Jan Clif gjatë një vizite në Deçan, të enjten, kanë kërkuar nga qytetarët e kësaj komune, që të mos protestojnë më për tokën e Manastirit të Deçanit dhe të pajtohen me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës.“Kryesisht kemi ardhur për të biseduar rreth çështjes së tokës, e cila ka qenë burim i mospajtimit në këtë komunitet. Pa marrë parasysh a pajtohen njerëzit me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për këtë rast apo jo, të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë vendimin e gjykatës së pavarur. Ky është parimi kryesor i sundimit të ligjit. Shpresoj se udhëheqësit komunalë do të mund ta zbatojnë vendimin shpejt ashtu që i tërë komuniteti të ecë përpara”, ka porositur ambasadorja e SHBA-së, Jakobson, pas takimit që kishte me kryetarin e Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.“Gjatë vizitës së tij në Manastirin Ortodoks Serb në vitin 2010, nënpresidenti Biden tha se manastiri është pjesë përbërëse jo vetëm e së kaluarës së këtij komuniteti, por çka është edhe më e rëndësishme, edhe e të ardhmes së tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës presin që Deçani të shfaqë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe vlera evropiane edhe për këtë. I nxis udhëheqësit lokalë të punojnë së bashku për promovimin e turizmit, mundësive dhe rritjes ekonomike”, ka thënë më tej Ambasadorja.