Suksesi i radhës për Atletiko Madrid
Atletiko Madrid çoi në 19 numrin e fitoreve radhazi në fushën e vet falë suksesit 2-1 ndaj Seviljes në takimin e parë për gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit ku rezultati përfundimtar u përcaktua nga 3 kartonë të kuq dhe po aq penallti të akorduara nga gjyqtari. Të tre penalltitë e akorduara gjatë pjesës së dytë të takimit në "Vicente Kalderon" u dhanë për prekje të topit me dorë në zonë, ndërsa dy të parat u shoqëruan me largimin me karton të kuq të mbrojtësit të Seviljes, Emir Spahiç dhe atij të Atletiko Madrid, Diego Godin.Diego Kosta, titullar në vijën e sulmit për shkak të mungesës së Radamel Falkao, kaloi në avantazh skuadrën e tij në minutën e 48-të,ndërsa 7 minuta më vonë ishte Negredo që barazoi rezultatin nga pika e bardhë.Por Kosta gjeti përsëri rrjetën me penallti në minutën e 71-të, pas prekjes së topit me dorë nga Navarro. Ky i fundit nuk u ndëshkua me karton të kuq menjëherë, por në minutën e 85-të, kur ndaloi qendërsulmuesin e Atletikos në mënyrë të parregullt.Ndeshja e kthimit do të luhet në javën e fundit të shkurtit dhe fituesi ndeshet në finalen e majit me fituesin e çiftit Barcelona-Real Madrid.