Përfundon 1-1 "Klasikja" e parë mes Real Madrid dhe Barçes

Përballja e parë për Kupën e Mbretit mes gjigantëve të Real Madrid dhe Barcelonës ka përfunduar në barazim 1-1.Në "Santiago Bernabeu" ka patur paqe mes dy rivaleve më të mëdhenjë të planetet. Ky rezultat, edhe pse avantazhon Barcelonën që luan ndeshjen e kthimit në fushën e vet, i jep mundësi edhe madrilenëve që të shpresojnë, sidomos për faktin se në takimin që luhet pas një muaji, do të jenë në dispozicion edhe lojtarët e rëndësishëm që munguan në këtë sfidë për ekipin e Murinjos.  Pa Kasijas, Ramos, Di Maria e Koentrao, trajneri portugez ka shpikur një rreshtim tjetër me Arbeloan si mbrojtës i majtë e Esien në të djathtën e repartit të tërhequr. Por ky improvizim vihet shpesh në provë nga inkursionet e katalanasve që në minutat e para, me Zhordi Alba e Iniesta që shpesh arrijnë të depërtojnë mes mbrojtjes madrilene. Por rasti më i mirë i pjesës së parë vjen nga këmbët e regjizorit Ksavi, i cili në një goditje dënimi gjen traversën e portës së mbrojtur nga Diego Lopez.Pjesa e dytë sheh përsëri Barçën më agresive pasi nuk do të vonojë shumë edhe  goli i avantazhit, me autor Fabregas që përfiton nga një pasim i Mesit për të kaluar pa vështirësi Lopez. Avantazhi u jep më shumë freski Katalanasve të cilët administrojnë lojën deri në minutën 81. Madrilenët që e kishin bazuar lojën te kundërsulmet e shpejta dhe goditjeve standarde, arrijnë të gjejnë golin nëpërmjet një goditje dënimi që devijohet në portë nga mbrojtësi Varan, një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës jo vetëm për faktin që shënoi golin e barazimit por edhe sepse ishte i pakalueshëm në mbrojtje.  Ndonëse edhe në minutat e fundit ka raste në të dy portat, rezultati nuk ndryshon dhe "El Clasico" mbyllet në barazim 1-1, duke lënë tashmë gjithçka  të hapur për raundin tjetër që do të Luhet në “Kamp Nou”. Ndërsa sot do të luhet edhe gjysëmfinalja tjetër mes Atletiko Madrid dhe Sevilias.