Ndarja e mandateve, Ruçi: Të mos votohet. Patozi:Hiqni bllokadën në KQZ

Kreu i grupit parlamentar i PS-së Gramoz Ruçi ka akuzuar mazhorancën se nëse vendos njëanshëm për ndarjen e mandateve bën një krim dhe kompromenton zgjedhjet që pa nisur ende.  Duke folur  në sallën e Kuvendit, Ruçi kërkoi të mos votohet ndarja e mandateve në këtë seancë plenare.“Po diskutojmë për një kryer një krim dhe uzurpim shtetëror për zgjedhjet ju po kërkoni të prishni rregullat e lojës, unë ju rikonfirmojë se nëse ju do e bëni këtë do keni përgjegjesi të madhe ndaj kushtetutës dhe do ndëshkoheni rëndë, moralisht, politikisht dhe ligjërisht, por tani ju bëj kërkesë, debatin e bëmë, në emër të grupit ta lëmë debatin, të mos e votojmë, të vazhdojmë si më parë që ju në emër të PD, unë në PS, të mblidhemi për ndarjen e mandateve e të përafrojmë qëndrimet në zbatim të plotë të kushtetutës, të kodit dhe precedentëve parlamentarë, ndryshe e keni kompromentuar procesin që sot” tha Ruçi.Ruçi ka deklaruar më tej se diskutimi i ndarjes së mandateve në Kuvend përbën precedentin e parë në 22 vite të historisë parlamentare."Në asnjë rast dhe në asnjë moment nuk është bërë  debat parlamentar për shpërndarjen e mandateve por kjo është bërë me mjete politike duke përafruar qëndrimet në komisionet përkatëse.  E maskimumi mes negociatave mes mazhorancës dhe minorancës dhe në të gjitha rastet ka pasur konsensus në Parlament. Ky rast bën precedentin e parë. Jemi në shkelje të kushtetutës, që e përcakton voton vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Atë të barabartë po e hiqni, ju po hiqni një nen të kushtetutës. Në aspektin ligjor, kemi miratuar një kod me konsensus, neni 76 pika 2, thotë KQZ kryen llogaritjen e ndarjes së mandateve dhe ia dërgon Kuvendit. Ku e keni? Nuk e keni sjellë. Neni 76 pika 3, numri i mandateve për cdo zonë zgjedhore nuk rishikohet vetëm në rast të zgjedhjeve të parakohshme. Informacioni që na sjell sekretarja nuk është rishikim mandatesh, nuk ka rishikim të mandateve vetëm në zgjedhje të parakohshme, atëherë i shpallni këto zgjedhje. Në aspektin procedural: në asnjë moment s’është vënë në lëvizje Kuvendi me firmë të sekretares së KQZ dhe të sekretarit të Kuvendit” shtoi Ruçi.Ndërsa kreu i grupit të PD-së Astrit Patozi akuzoi opozitën se po bllokon punën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Ndërsa ka reaguar pas deklaratës së Ruçit, Patozi  theksoi se opozita ka shpifur duke deklaruar në media se PD-ja po bën manipulime.“Nuk jetojmë në një epoke ku i bën lehtë hasha fjalët dhe qëndrimet, s’ka mbetur shqiptar pa i parë e dëgjuar, po të kishte krim morali në këtë mes, sot duhet të ishte dita më një ndjesë të fortë. Megjithëse kanë mbushur faqe gazetash me shpifje për gjoja manipulime, sot na shfaqen sikur asgjë nga këto nuk kanë ndodhur, për të mos shkuar për ngritjen apo jo komisionin hetimor po të krahasosh fjalimet. Sot po na akuzojnë sërish ne, pse nuk e miratojmë projektin e rrëzuar nga ata vetë në KQZ. Me cilën opozitë do të biem dakord ne me atë të para dy muajve, apo të sotme, me atë që kërkoi komision për manipulimet e tmerrshme në Kukës, apo atë që kërkon të miratojmë këtë projekt” tha Patozi.Patozi ka theksuar se mazhoranca është e detyruar të shqyrtojë ndarjen e mandateve në Kuvend për të bërë të mundur që procesi të mos kalojë në kolaps.“Ndaj ne nuk trajtojmë një projektvendim që për shkak të aritmetikës së dobët të Ramës u rrëzua në KQZ kundër vullnetit tonë. Ndaj ne jemi të detyruar të kthehemi pas në kohë e të marrim në shqyrtim vendimin e fundit të ndarjes së mandateve. Ne jemi të painteresuar për mënyrën e ndarjes së mandateve se nuk e bazojmë suksesin në zgjedhje te harta elektorale, por jemi për zhbllokimin e procesit sa herë që dikush e fut në kolaps” shtoi Patozi.