Kuvendi miraton shpërndarjen e mandateve, opozita voton kundër

Parlamenti ka votuar sot rishpërndarjen e mandateve të deputetëve për zgjedhjet e 23 qershorit sipas formulës së vitit 2009.Shpërndarja e mandateve u miratua me 72 vota pro dhe 63 kundër dhe 1 abstenim ndërsa seanca plenare u shoqërua me debate dhe akuza të ndërsjellta nga të dyja palët.Në fund të votimit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka bërë sërish thirrje opozitës të votojnë 3 ligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian."Të votojmë 3 ligjet për të marrë statusin e vendit kandidat. Të hënën vjen edhe zoti Fyle. Të bëjmë detyrën tonë” tha Topalli.Ndërkohë më herët, relatori i çështjes, Edi Paloka ka lexuar para deputetëve relacionin për ndarjen e mandateve, miratuar nga Komisioni i Ligjeve, vetëm me votat e shumicës.“KQZ ezauroi plotësisht rrugën administrative për të vendosur për çështjen e ndarjes së mandateve. Ai nuk mundi të miratojë vendim për këtë çështje, pasi nuk u arrit numri i kërkuar i votave pro. Njollosja e procesit që në fillim nga anëtarët e propozuar nga opozita, që në vend të zbatimit të ligjit, bënë zbatimin e urdhërit si militantë politik. Kuvendi ka kompetencë të plotë të miratojë ndarjen e mandateve të deputetëve, është detyrim i vendosur në Kodin Zgjedhor. Kuvendi nuk mund të lejojë futjen e procesit zgjedhor në kolaps” tha Paloka.Ndërsa deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri ka akuzuar maxhorancën për diktat politik dhe ndarje të mandateve në shkeje të plotë të ligjit.“Paniku që e ka zënë Berishën po e bën të veprojë në mënyrën më të njëanshme. I vetmi qëllim i tij është të mbrojë interesin e tij personal dhe familjes, që duke braktisur certifikatën të gëzojë ekzilin e tij politik në qetësi. Kjo s’ka për të ndodhur”  tha Gjiknuri.Ai ka akuzuar mazhorancën  se po konsumon një krim të dyfishtë elektoral, pasi po uzurpon pushtetin dhe po shtyp barazinë e votës së shqiptarëve.“Në ligj është e shkruar se Kuvendi s’ka kompetencë të veprojë pa vendimin e KQZ. Këta filluan të shesin kundërshtitë e anëtarëve të KQZ për arsye transparencë, jo për bllokim. Çfarë ishte ky bllokim? Ishte vetem kërkesë për transparencë lidhur me lëvizjet e palogjikshme në katër komuna të Kukësit. KQZ urdhërohet politikisht të mos marrë vendim. Uzurpimin e pushtetit nga Kuvendi të një pushteti tjetër, kështu erdhi dhe Hitleri në fuqi, diktati i mazhorancës politike po kthehet në vetëgjyqësi politike, sekretarja e KQZ vë në lëvizje Kuvendin, pra maxhorancë e diktuar politikisht urdhëron një nëpunëse, na sjell një vendim që ka vdekur për ndarjen e mandateve të vitit 2009, pse duhet me kaq urgjencë kur afati i fundit është 7 marsi, në 2009, mandatet janë miratuar në mars. Në atë vit MB ka dhënë informacion, si qenka kjo që çdo pretendim që ngre opozita u merrka për bllokim. Ky është diktat politik, nuk është mungesë konsensusi i cili shitet si bllokim për t’i krijuar mundësinë maxhorancës të bëjë vetëgjyqësi politike” tha Gjiknuri.Ndërkohë, Deputeti i PS-së, Ben Blushi ka deklaruar se ajo që po bën shumica për ndarjen e mandateve është e paprecedentë dhe kundër asaj që kanë vendosur vetë shqiptarët, të drejtën për të vendosur se ku të jetojnë.Sipas tij, maxhoranca po e ndan vendin jo në banorë por votues ndërsa shtoi se shumica nuk po bën një lojë të barabartë me opozitën.“Pse shkelni numrat dhe shifrat që na keni ofruar vetë, na takon dy palët e mëdha të vendosim rregullat e lojës. Nëse gjithë shqiptarët do kishin vendosur që të iknin nga gjithë qarqet dhe të jetonin në Shkodër e Fier, a do kishte zonë zgjedhore në Berat po të mos kishte njerëz, jo se aty s’do kishte me njerëz, ju thoni po se ka pasur njerëz. Ju them e nisim lojën në mënyrë të barabartë sepse nuk ka Shqipëria më ta përballojë këtë kosto, që na ka vonuar për 22 vjet. Ta ndajmë vendin si i takon, ne vetëm e formalizojmë. Ne nuk ndryshojmë atë që ata e kanë vendosur, ju i thoni shqiptarëve jetoni për të jetuar, kurse ne votoni për të jetuar më mirë, në 23 qershor shqiptarët do votojnë për të jetuar më mirë. Por unë ju them se pavarësisht çfarë do bëje shumica sot, ajo do të humbasë në 23 qershor” tha Blushi.Mosgjetja e konsensusit në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për miratimin e rishpërndarjes së mandateve, bëri që Kuvendi të miratojë formulën e vjetër të vitit 2009 të mandateve.Me votimin e sotëm, mandatet e Kuvendit për zgjedhjet e 23 qershorit do të kenë të njëjtën shpërndarje, siç është konfigurimi i Parlamentit sot.