Parada me Enverin, Kola:T'iu tregohen "të rrjedhurve", ekzekutimet e tij

Tiranë – Bilal Kola, kreu i Komitetit të të Përndjekurve Politikë , pasi e ka ndjekur dje paradën e veteranëve të LANÇ-it në Gjirokastër me portretin e Envere Hoxhës dhe shallet e kuq në qafë, ka dhënë një sugjerim për ta ose fëmijët e tyre: Të vizitojnë Qëndrën e Kujtesës në Shkodër, në të cilën  është ekspozuar urdhri i Enver Hoxhës për vrasjen e armiqve të popullit, ndër to, edhe të shumë  klerikëve.Gjykimet e tij, Bilal Kola i dha në emisionin e sotshëm “Mëngjes Express” të “Ora News”, ku si i ftuari i gazetarit Enkel Demi, u pyet sesi e vlerëson shfaqjen e nostalgjikëve pikërisht tre ditë para ardhjes së Papës në Shqipëri dhe kur në bulevardin kryesor të Tiranës, janë vendosur, portretet e 40 martirëve katolikë, vrarë nga diktatura.“Shfaqja e nostalgikëve të Enver Hoxhës në Gjirokastër është një nga ato paradokse që shkakton dhimbje tek ish-të përndjekurit politikë, - tha Kola. - Por unë do të thoja për gjenezën e këtij problemi. Problemi për mua nuk janë ata pleq. Janë pleq mjeranë, por janë pleq e përveçse mjeranë, për mendimin tim….”Duke e ndërprerë mendimin, Kola bën një ndërhyrje tjetër: “Dikush, kur është i vetëdijshmë se idhuli i tyre, sado i dashur qoftë për ta, është fundja një kriminel e unë do të sjell një fatk goxha interesant - gjithkush, sidomos këta të rrjedhurit ose djemtë a vajzat e tyre, që mund të jenë në moshë relativisht kur mund të ushtrojnë prudencë në baballarët apo nënat e tyre të rrjedhura, që kanë nëpër shtëpira - i rekomandoj të shkojnë në një qendër kujtese në Shkodër, qëndër kujtese, e zeza në të bardhë, ku do të shohin këtë lloj pasazhi:“Komandanti i Përgjithshëm legjendar” urdhëron Gjykatën Supreme Ushtarake të Shkodrës të ekzekutojë armiqtë e popullit, filanin, filanin, filanin…midis të cilëve edhe disa klerikë. Pra, është një urdhër që “Komandanti i tyre legjendar” i jep gjykatës.Në çdo lloj analize të kohëve moderne, - theksoi Kola, - ky është një veprim monstruoz që nuk pyet për asnjë lloj strukture shtetërore, për asnjë lloj hierarkie vendimarrjeje dhe këto i ka bërë “Komandanti legjendar”. Aty do shohësh një mori bëmash nga “Komandanti legjendar”, por midis shumëve, mua më bëri përshtypje kjo gjë.”E duke vazhduar me historinë, kreu i Ish-të përndjekurve kritikoi një fakt tjetër: rishkrimin e historisë nga historianë të angazhuar në politikë dhe përmendi si shembull, rastin e Paskal Milos.“Në Shqipëri ndodhin paradokse, - tha ai. - Nuk mund të caktosh historianë në profesion, pavarësisht se mund të jenë shumë të spikatuar në profesionin e tyre, që në mënyrë aktive bëjnë politikanin. Këta politikanë me zanat ditor na shkruajnë ne historinë, kur vjen puna tek historia politike e Shqipërisë. Jo për historinë e Pirros së Epirit, jo për historinë e lavdishme të Skënderbeut, por për historinë politike të Shqipërisë. Këtu ka konotacion të theksuar politik.Njerëz si puna e politikanit Paskal Milo, fare mirë hedhin grepin dhe “peshkojnë” ata enveristët nostalgjikë, të pabindshëm ndaj fakteve dhe realitetit, që ata 40 martirët atje, nuk erdhi ndonjë alien nga ndonjë galaktikë tjetër, por pikërisht Enver Hoxha dhe regjimi i tij gjakatar që i masakroi dhe i preu. Dhe jo vetëm ata të 40-ë po qindra e qindra të tjerë,” - përfundoi ai.Oranews.tv