Mblidhet kongresi i LDP-së, Sherifi: Do të sjellim një politikë të re
Partia “Lidhja për Drejtësi e Progres” ka mbajtur sot Kongresin e parë të saj.Në fjalën e tij, kreu i LDP-së Elmaz Sherifi ka kritikuar partitë politike se merren me sherre për interesat e tyre dhe nuk bashkëpunojnë për zhvillimin e vendit."Liria politike kërkon luftëtarë të së drejtës, jo ushtarë. Luftëtarët e së drejtës mbrojnë interesat e Shqipërisë. Sot partitë janë si reparte ushtarake, për humor të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se janë vënë në resht, pa e kuptuar që të dyja janë vënë në resht. Ne jemi lidhja që do sjellim një frymë të re. Ne nuk jemi parti ideologjike, nuk mund të shndërrohemi në vagonë të trenave që dalin nga shinat, dëmtojnë prona e vrasin qytetarë. Klasa politike në Shqipëri duhet të kuptojë realitetin shqiptar dhe se si funksionojnë institucionet shqiptare” tha Sherifi.Kreu i LPD-së ka ironizuar edhe deklaratat e kreut të PS-së Edi Rama për heqjen e taksës për biznesin e vogël.“Deklaratat për heqjen e taksës për biznesin e vogël është si premtimet e Berishës në fillesat e tij se kush na jep votat edhe dritat të mos i paguajë. Ky është shteti i taksave dhe ato duhet të paguhen. Po disa politikanë nuk e kuptojnë se problemi nuk është tek taksat e larta por te papunësia” tha Sherifi.Sherifi iu referua edhe çështjes kombëtare për të cilën theksoi se ajo nuk mund të mbrohet sot nga ata që dhunojnë të drejtat. Sipas tij bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mjafton. "Shqiptarët kudo që jetojnë duhet të luftojnë për demokraci, që të lëvizin të lirë e të mos paragjykohen që janë shqiptarë. Dhunuesit e të drejtave të anëtarësive të tyre, nuk mund të kërkojnë mbrojtjen e çështjes kombëtare. Nuk mund ta mbrojnë individët që manipulojnë opinionin publik, ata që sakrifikojnë jetë njerëzish. Çështja kombëtare është çdo ditë me ne, por përdhoset çdo ditë nga kjo klasë politike. Sot shqiptarët duhet ta bëjnë Shqipërinë demokratike, shqiptarët e Kosovës duhet ta bëjnë Kosovën demokratike. Sot ka rëndësi që ne ti japim liri lëvizjeje shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni, kur çamët të mos i kthejë njeri në kufi se janë çamë. Sot duhet të mos kemi frikë nga nacionalizmat, por të garantojmë të drejtat e minoriteteve”, tha Sherifi.Ndërkohë pritet që Kongresi I LDP-së të zgjedhë, Këshillin e Përgjithshëm, Kryetarin e Partisë me votë të fshehtë, një bord drejtues, kryesinë, sekretariatin dhe një komision të interpretimit të statutit një organ i ri që garanton të drejtat e anëtarësisë.