Lezhë, furgoni përplaset me makinën, 6 të plagosur

Përplasja e një furgoni pasagjerësh me një autoveturë në aksin e vjetër Lezhë-Laç ka shkaktuar plagosjen e 6 personave, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.Aksidenti ndodhi rreth orës 10:00 në vendin e quajtur kryqëzimi i Pllanës ku një automjet tip Fiat me targa greke që drejtohej nga Dede Frroku 46 vjeç në tentativë për të dalë nga një rrugë dytësore ka goditur një furgon të linjës Lezhë- Laç i cili drejtohej nga Kol Nikolli 52 vjeç nga qyteti i Laçit.Si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit e automjeteve dhe 4 pasagjerë që ndodheshin në furgon. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës, ku në gjendje më të rëndë ka qënë një grua, e cila i është nënshtruar mjekimit intesiv.Policia rrugore e mbërritur menjëherë në vendngjarje ka bërë të ditur se shkak për këtë aksident është bërë ndërprerja e rrugës në mënyrë të menjëhershme nga autovetura me targa greke, si dhe amortizimi i rrugës që detyron drejtuesit e mjeteve të devijojnë shpesh herë nga korsia e tyre e lëvizjes.Ndërkohë që një ditë më parë edhe në Vlorë ka ndodhur një aksident ku është përfshirë një furgon me pasagjerë dhe janë plagosur 16 persona, por fatmirsisht jashtë rrezikut për jetën.