BE, sanksione të reja kundër Rusisë, por vetëm në parim

Bashkimi Europian ka miratuar sanksionet e reja ndaj Rusisë, të cilat përfshijnë kufizime ndaj kompanive më të mëdha shtetërore ruse të naftës, që qarkullojnë asetet e tyre në tregjet financiare europiane. Pavarësisht këtij vendimi, sanksionet shtesë nuk hynë në fuqi siç parashikohej, por është vendosur që Rusisë t’i lihen edhe disa ditë kohë për të vlerësuar rëndësinë e vendosjes së paqes në lindje të Ukrainës.Lidhur me këtë çështje, Presidenti i Këshillit Europian, Herman van Rompuy deklaroi se masat kanë si synim të detyrojnë Rusinë që të ndryshojë drejtim. Pavarësisht angazhimit të treguar në vendosjen e këtyre sanksioneve të reja, blloku 28-anëtarësh i Bashkimit Europian nuk ka arritur të bjerë dakord lidhur me kohën se kur këto sanksione do të hyjnë në fuqi. Edhe pse jane miratuar në parim, këto sanksione nuk do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë ruse, të paktën deri në momentin e hyrjes në fuqi.Pavarësisht nevojës dhe dëshirës për t’i treguar Rusisë, bashkëpunimin midis vendeve anëtare të Bllokut, ekspertët shprehen se edhe ekonomia e Eurozonës do të dëmtohet rëndë nga këto sanksione. Sipas analistëve, nëse situata përkeqësohet, Europa do të jetë ajo që do të vuajë më shumë pasojat për shkak të lidhjeve të mëdha tregtare me Rusinë.Përpara miratimit të masave të fundit, Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy, deklaroi se ato do të kenë ndikim të madh për Rusinë dhe pasoja të mesme për ekonominë europiane. Sipas përllogaritjeve të ekspertëve, një në tre vende pune në Gjermani varet nga eksportet. Ekonomistët shprehen se edhe sanksionet që janë marrë deri me tani, kanë dhënë efekte të ndjeshme në ekonomi pasi vetëm në pesë muajt e parë të vitit, gjermania ka pësuar një rënie me 13% të eksporteve për në Rusi.Duke patur parasysh zhvillimet e fundit, analistët shprehen se në një luftë ekonomike me Rusinë do të kishte vetëm palë të humbura.ar.sh/Oranews.tv