Tryezë mbarë - kombëtare
Eshtë e domosdoshme që të gjithë shqiptarët të reagojnë sot në lidhje me heqjen e lapidarit me emrat e 27 heronjve të shqiptarisë në Preshevë të Kosovës lindore. Preferoj të flas për Kosovën lindore, dhe jo për Serbi jugore. Preferoj t’u përmbahem toponimeve të vjetra gjeografike, sepse ato janë dëshmi e ekzistencës së kombit dhe e fatit tragjik të tij, tkurrjes së vazhdueshme nga trojet ku e zhvilloi këtë esencë, këtë thelb. Lufta për toponimet nuk është thjesht lufta për toponimet, por është lufta për esencën e kombit. A ka ndokënd që mendon për shembull se vërtet Greqia që refuzon pleq e fëmijë në kufirin me Shqipërinë e ka hallin te drejtshkrimi anglisht i toponimeve? Jo, e ka hallin të zhdukë çdo shenjë të ekzistencës sonë të vazhdueshme në trojet etnike shqiptare.Lapidari me 27 emra dëshmorësh nuk ishte gjithashtu thjesht një simbol dy metra i lartë. Ai ishte simbol i luftës që dhjetëra mijë shqiptarë zhvilluan në kohët moderne, për të mos e tretur dhe më shumë këtë esencë kombëtare, siç ka ndodhur në shekujt e shkuar, në Nish e Prokuplje, në Çamëri, në Prevezë, Artë, Filat dhe Paramithi, në Kostur dhe në Follorinë, në Plavë e Guci, në Tivar dhe gjetkë. Kjo është arsyeja pse ai lapidar është i shtrenjtë për ne si PDIU, për ne si përfaqësues të një komuniteti si ai i shqiptarëve të Çamërisë, që u shkul me forcë nga vatrat e veta, ku sot s’ka më gjurmë fizike përveç gërmadhave. Në trojet e Çamërisë sot nuk na lejojnë të ngremë as lapidar për luftëtarët, as lapidar për gratë dhe fëmijët e vrarë dhe dhunuar egërsisht.Lapidari i hequr nga pushteti serb ishte simbol i luftës për ekzistencë dhe për mbijetesë e një komuniteti si ai i shqiptarëve të Kosovës lindore, të cilët kanë demaskuar sistematikisht mashtrimet e pushteteve të Beogradit për trajtimin e minoriteteve. Si mund të pretendojë Serbia se trajton sipas konventave europiane një minoritet si ai shqiptar në Luginë, i cili ka përqindjen më të lartë të papunësisë në Europë, numrin më të madh të azilkërkuesve ekonomikë, ku s’ka shkolla, libra, spitale, infrastrukturë normale?Lapidari ishte simbol i drejtësisë, i ligjeve europiane, sipas të cilave një komunitet lokal ka të drejtë të marrë vendimet që do në respekt të komuniteve që përfaqëson.Heqja e lapidarit e demaskoi pra dhe njëherë politikën e vazhdueshme të shtetit serb ndaj minoriteteve. Shteti qendror, shteti serb, nuk kishte arsye logjike ta deklaronte veten si vijues besnik i politikës kriminale ndaj të cilit luftuan emrat e ndritshëm të përjetësuar në atë lapidar. Por serbët shpesh nuk veprojnë sipas logjikës, por sipas emocioneve të verbra, që jo rrallë i çojnë në humbje.Lapidari u shkatërrua fiks disa ditë pasi qeveria serbe, nën presionin perëndimor, u detyrua të braktisë dorë publikisht nga një pjesë e pretendimeve të veta për Veriun e Kosovës, e cila është një dhe e pandarë. Kjo qeveri e poshtëruar në Bruksel po detyrohet që të tërheqë apo të abrogojë institucionet paralele në territorin e një shteti tjetër. Zbythja e Serbisë nga Kosova do të vazhdojë akoma, që nga dita jo e largët në vitin 1999 kur ushtria serbe nënshkroi turpin e vet në Kumanovë.Ishte ndoshta pesha e këtij turpërimi që e nxiti qeverinë serbe të bënte “të vendosurën” përpara një lapidari simbol dhe të përdorte retorikë agresive ndaj një popullsie të pambrojtur, siç është ajo e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Pra, qeveria serbe e turpëruar në Bruksel, u trimërua në Preshevë.Por, nuk kam ndër mend që t’i bashkohem akoma më gjatë korit të atyre që sot po kritikojnë qeverinë serbe. Unë dua që ta shohim problemin mes nesh. Qeveria serbe e bëri të vetën, e tregoi se kundrejt shqiptarëve nuk ka ndryshuar asgjë. Qeveria e Daçiçit ka pak më shumë frikë ndaj nesh, siç e tregoi me trajtimin gjithë respekt të lapidarit që nuk ishte trajtim i një ndërtimi pa leje, por i një simboli të shtrenjtë për shqiptarët. Ama, qeveritë serbe mbeten të njëjta në respektin ndaj emocioneve të popullsisë së vet.Unë sot dua të trajtoj para jush diçka që e kam nënvizuar me forcë dhe njëherë tjetër, kur diskutuam për raportin e Dik Martit. Reagimin si komb, pavarësisht forcave politike që përfaqësojmë, shteteve ku jetojmë – Shqipëri, Kosovë apo gjetkë.Rezistenca nëpërmjet lapidarit-simbol dhe simbolet nuk zhduken dot kurrë, ishte rezistencë që tregon se ekziston një problem i madh në Serbi me trajtimin e minoritetit shqiptar në Kosovën lindore.Problemi i shqiptarëve të Luginës do duhej të ishte ndërkombëtarizuar me kohë.Problemi i një vatre të fortë të shqiptarizmit në Republikën e Serbisë do ishte ndërkombëtarizuar me kohë nëse ne do kishim zhvilluar me kohë një tryezë të faktorëve politikë kombëtarë, ku të diskutohej për çështje të tilla si Presheva, Çamëria, marrëdhëniet me fqinjët në përgjithësi apo dhe probleme të zhvillimit ekonomik të përbashkët sipas një modeli të ngjashëm me Komunuelthin britanik. Nëse në atë tryezë ne do të kishim rënë dakord për një qëndrim të përbashkët apo të kishim harmonizuar qëndrime vetëm në dukje të kundërta, Serbia do të na kishte trajtuar me më shumë respekt.Nëse ne do të kishim reaguar më parë me vendosmëri, me njëmendësi, edhe miqtë tanë perëndimorë, që kanë shqetësimet e tyre, do të na trajtonin me më shumë respekt dhe nuk do të flisnin në deklaratat e tyre pas heqjes së lapidarit vetëm me keqardhje.Nëse ne do të kishim reaguar me forcë që atëherë, çështja e shqiptarëve të Luginës do të trajtohej me reciprocitet edhe në bisedimet e Brukselit.Nëse ne do të kishim reaguar si komb që më herët ndaj Dik Martit, ndaj keqtrajtimeve të shqiptarëve, ndaj diskriminimit të tyre, ndaj provokimeve serbe, atëherë Kosova do të ndihej akoma më shumë e fortë në këto bisedime dhe në arenën ndërkombëtare.Pse bëj unë thirrje për këtë tryezë? Për të njëjtat arsye që kam bërë thirrje për një tryezë të ngjashme në rastin e akuzave të Dik Martit, që përbaltnin njëherësh luftën e UÇK-së, Kosovën, shtetin shqiptar, kombin shqiptar dhe aleatët tanë perëndimorë. Nga fotografia e asaj tryeze, me të gjithë liderët bashkë, përveç se nga mesazhi i njëzëshëm, fqinjët në rajon do duhej të kuptonin se me shqiptarët duhet folur seriozisht, por dhe faktori perëndimor do të na shihte më me respekt.Unë dua t’ju pyes: pse, vallë, qeveria serbe, xhandarmëria serbe nuk guxoi ta rrënonte lapidarin? Sepse megjithëse vonë, megjithëse jo në mënyrë të sinkronizuar, pati një reagim mbarëkombëtar. Po nëse ky reagim do të ishte shumë kohë më parë, nëse ai do ishte i vazhdueshëm për çështje të tilla?Ç’do të ndodhte?Unë bëj thirrje që të zhvillohet një tryezë mbarëkombëtare e faktorit politik shqiptar.Largimi me forcë i atij lapidari që serbët nuk guxuan ta rrënonin, le të shërbejë si rast për bashkimin tonë politik. Ai lapidar nuk ishte simbol fetar që duhej çuar në xhami, siç u përhap ndoshta nga vetë larguesit e tij, por simbol kombëtar, i cili rron aq sa rrojnë simbolet kombëtare.Le të diskutojmë në një tryezë të tillë permanente të gjithë hapat drejt bashkimit kombëtar. Në fillim të gjithë hapat që na lejohen edhe prej aleatëve tanë perëndimorë. Kur kjo tryezë të funksionojë në mënyrë permanente, atëherë do të shihni se shumë prej problemeve me të cilat shqiptarët ballafaqohen në Ballkan do të zhduken si me magji deri kur të arrihet te bashkimi. Dhe ne do të jemi më të fortë. Që nga koha e Skënderbeut vjen mesazhi i thjeshtë: Bashkimi bën fuqinë! Unë do shtoja modestisht: edhe fuqia e bën bashkimin. Nga një tryezë e tillë do të rrezatohej fuqi, e cila të çon kah bashkimi!Burimi: panorama.com.al