Lëvizja Vetëvendosje proteston për të drejtat e qytetarëve të Preshevës
Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë mbarëpopullore në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, e cila do të mbahet të shtunën, më 26 janar, e ku do të kërkohet respektimi i të drejtave civile dhe kolektive të shqiptarëve, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, si dhe kthimi i lapidarit në vendin e mëparshëm.Ndër pikat e tjera të cilat do të protestojnë tha Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, do të jetë dhe ndërprerja e menjëhershme e procesit negociator të Kosovës me Serbinë, kthimi i rezolutës së Kuvendit për reciprocitet politik, ekonomik e tregtar me Serbinë dhe ndërmarrja e hapave konkrete nga qeveria e Kosovës për shtrirjen e autoritetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.Për Lëvizjen Vetëvendosje, dëmtimi i varrezave dhe monumenteve serbe në Kosovë është një akt i papranueshëm dhe vandal, prandaj Ahmeti ka ftuar qytetarët e Kosovës që të heqin dorë nga veprimet e tilla, pasi sipas tij, ky nuk është reciprocitet.Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje do te filloj rreth ores 14:00 do të mbahet pa lejen e Policisë së Kosovës, e cila e ka arsyetuar këtë vendim me të drejtën e qytetarëve për të protestuar.Nga ana tjetër shefi i Trupit Koordinues për Serbinë Jugore, Zoran Stankovic tha për mediat serbe se "tensionet në jug janë krijuar artificialisht". Sipas tij monumenti i hequr para pak ditësh i UÇPMB-së nuk do të shkatërrohet, por do të jetë një subjekt i bisedimeve në të ardhmen."Çdo gjë që ka ndodhur është më shumë një pyetje komplekse politike. Ashtu siç kemi parë, loja është luajtur që të provohet të sigurohet një pozitë më e mirë në negociata, që të përdoret si një moment në dialogun Prishtinë-Beograd, sepse disa duan të tërheqin paralele në mes kësaj pjese dhe veriut të Kosovës", tha Stankovic.Sipas deklaratave të shefit të koordinimit për Serbinë situata në Preshevë është nën kontroll "ndërsa kontakti i vazhdueshëm dhe bisedimet me përfaqësuesit shqiptarë dhe me stafin lokal do të ulin tensionet".Gjithashtu ai ka theksuar se situata që është zhvilluar në lidhje me lapidarin "është përdorur nga një numër i manipulatorëve", siç i ka quajtur Stankovic.