OKB apelon për qetësi në Luginën e Preshevës

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për qetësi në Luginën e Preshevës, pas heqjes së lapidarit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga ana e xhandarmërisë serbe.“Kombet e Bashkuara po ndjekim zhvillimet në Luginë dhe bëjnë thirrje për qetësi. OKB-ja vazhdimisht ka theksuar nevojën e pajtimit ndërkombëtar dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor ”, ka deklaruar Martin Nesirki, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.Xhandarmëria serbe, me urdhër të Qeverisë ne Beograd, largoi të dielën lapidarin e ushtarëve të rënë të UÇPMB-së, i cili ndodhej para Kuvendit Komunal në Preshevë.Një gjë e tillë ka nxitur protesta në këtë vend, por edhe reagimin e autoriteteve, si shqiptare ashtu edhe ndërkombëtare.Lapidari u kushtohej shqiptarëve që luftuan për më shumë të drejta në Luginën e Preshevës. Konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe ka marrë fund në maj të vitit 2001, me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.Autoritetet serbe e konsiderojnë UÇPMB-në si “organizatë terroriste”.