Takimi me Daçiç në Bruksel,Thaçi i gatshëm të raportojë para deputetëve

Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur vetë gatishmërinë e tij për të raportuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me bisedimet e fundit me Serbinë të zhvilluara në Bruksel. Për këtë qëllim, ai i ka shkruar edhe një letër kreut të Kuvendit, Jakup Krasniqi.“Në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive dhe në përputhje me Rezolutën e Kuvendit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përmes një shkrese zyrtare dërguar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur gatishmërinë për t’i informuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për takimin e radhës të zhvilluar në Bruksel mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të Serbisë”, thuhet në një njoftim të Kryeministrisë.Në takimin e 17 janarit në Në Bruksel dy Kryeministrat Thaci-Dacic arritën një marrëveshje për pagesën dhe mbledhjen e taksave doganorë në katër vendkalimet kufitare ku tashmë po zbatohet marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit.Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, tha menjëherë pas takimit se është arritur marrëveshja përfundimtare për doganat dhe tani e tutje ato do të paguhen njësoj në të gjitha vendkalimet kufitare.Thaçi theksoi gjithashtu se pala serbe ka marrë përsipër që të punojë për mënjanimin e strukturave paralele në veriun e Kosovës.Ndërsa Kryeministri serb Ivica Daçiç tha se paratë e mbledhura nga doganat në veri do të derdhen në një fond që do të themelohet nga Bashkimi Evropian dhe ato do të shfrytëzohen vetëm për veriun e Kosovës.Takimi u shoqërua nga protestat e veprimtarëve të lëvizjes “Vetëvendosje” në Bruksel të cilët kundërshtojnë bisedimet e pakushtëzuara me Serbinë, duke i vlerësuar ato si të dëmshme për sovranitetin e Kosovës.Ky takim është i katërti me radhë në nivelin e lartë politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. E ky normalizimin është kushti kryesor për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.