Shkup, sot takimi i dy liderëve kryesor

Në Shkup sot do të zhvillohet takimi midis kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski dhe kryetarit të LSDM-së opozitare, Branko Cërvenkovski.Takimi zhvillohet pasdite në Klubin e Deputetëve në Shkup, me ftesë të kryeministrit Gruevski, për të tejkaluar dhe gjetur zgjidhje për krizën politike në Maqedoni.Siç bëhet e ditur nga Qeveria maqedonase takimi është në kontekst të sfidave me të cilat ballafaqohet vendi dhe që kërkojnë qasje serioze dhe me përgjegjësi. Nga ana tjetër, LSDM bëri të ditur sot pasdite se lideri i tyre do të jetë i pranishëm në takim.Cërvenkovski ka theksuar se përveç ftesës beson se vërtetë ekziston vullnet politik nga Gruevski për të vlerësuar dhe realizuar të gjitha parakushtet e opozitës për zgjedhje korrekte dhe demokratike, si një hap i parë dhe i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe dhënien e një kredibiliteti të ri të institucioneve shtetërore.  LSDM ndër kërkesat e saj ka mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në pako me ato lokale si dhe ndryshimin e kodit zgjedhor.Mësohet se takimi është arritur pas lobimit të diplomatëve të lartë europerëndimor në Shkup, të cilët kërkojnë tejkalimin e krizës politike në Maqedoni, pas ngjarjeve të 24 dhjetorit, kur opozita u nxorr nga Parlamenti dhe u votua buxheti për vitin 2013.