Kosova i përgjigjet me të njëjtën monedhë Serbisë, sulme ndaj varrezave

Pas heqjes së lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Luginë të Preshevës, në Kosovë janë shënuar disa sulme ndaj simboleve të komunitetit serb.Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka deklaruar se policia ka evidentuar disa incidente gjatë të cilave janë sulmuar monumente që i përkasin komunitetit serb. Mësohet se janë dëmtuar disa pllaka të varrezave serbe në Kllokot, Prilluzhë, Plemetin dhe Prizren.Misioni i BE-së në Kosovës, EULEX-i përmes një komunikate me shkrim theksoi se i dënon aktet e vandalizmit apo format e tjera të dhunës.“Protestat paqësore janë normale në çdo shoqëri moderne dhe demokratike, por përdhosja e qëllimshme e varrezave dhe objekteve fetare është absolutisht për të u dënuar. EULEX-i u bën thirrje qytetarëve të respektojnë ligjin dhe të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj çdo akti të dhunshëm,“ thuhet në njoftimin e EULEX-it.Policia dhe prokurorët e EULEX-it janë duke vëzhguar nga afër situatën dhe duke bashkërenduar me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.EULEX-i thotë se, është i gatshëm të ndërhyjë dhe të mbështesë institucionet vendore të sundimit të ligjit nëse është e nevojshme.Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë u ka bërë thirrje shqiptarëve në Serbinë e Jugut, të vetëpërmahen nga reciprociteti i akteve të dhunës të treguara nga Qeveria serbe.Në një deklaratë për mediat, Ministria e Jashtme, në këtë frymë vlerëson se dëmtimi i disa varrezave në Kllokot dhe Prizren, bie ndesh me frymën e tolerancës që karakterizon shoqërinë në Kosovë, duke mbështetur qeverinë e Kosovës në thirrjet e saj për vetëpërmbajtje dhe shmangien e akteve të dhunës.MPJ apelon shqiptarët kudo në rajon, të qëndrojnë në lartësinë e vlerave evropiane që bashkëndajnë, dhe të shmangin çdo provokim që kërkon të përshkallëzojë gjendjen e sigurisë në rajon, dhe të tjetërsojë përpjekjet legjitime e historike për respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të tyre.MPJ i kujton Qeverisë serbe të respektojë dhe zbatojë të gjitha detyrimet dhe angazhimet si shtet anëtar në organizatat ndërkombëtare ku ajo është palë, duke siguruar se Shqipëria nuk do të ndalet së mbrojturi interesat e pakicës shqiptare atje, në përputhje të plotë me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dhe gjithë standardet ndërkombëtare në këtë fushë.