Eurogrupi miraton këstin e radhës për Greqinë
Eurogrupi miratoi vendimin për t'i dhënë Greqisë këstin e radhës me vlerë 9,2 miliardë euro.Nga kjo shumë, 7,2 miliardë do të përdoren për rikapitalizimin e bankave vendase dhe 2 miliardë për financimin e ekonomisë greke.Në përfundim të takimit, presidenti në largim i Eurogrupit, Jean-Claude Juncker shprehu kënaqësinë e Eurozonës për përmbushjen e veprimeve të kërkuara nga ana e qeverisë greke dhe posaçërisht për reformën tatimore dhe ripërshtatjen e çmimeve të energjisë.Juncker tha se Eurogrupi pret nga qeveria greke thjeshtëzimin e tatimit mbi të ardhurat, në pranverë. Ky këst është i treti pas 34,4 miliardë euro që mori Greqia në dhjetor nga Fondi i Stabilitetit Financiar Evropian dhe 3.24 miliard euro nga FMN disa ditë më parë, ndërsa pritet miratimi i këstit të ardhshëm 2.8 miliardë euro në shkurt.Ndërkohë kryeministri grek ka kërkuar përshpejtim të privatizimeve, një nga reformat e kërkuara nga FMN dhe BE.Urdhëri i kryeministrit është që të avancojnë menjëherë procedurat përkatëse për subjektet si Kompanitë publike të gazit dhe organit menaxhues të sistemeve kombëtare të gazit natyror pasi këto projekte konsiderohen si më të pjekura.