Ndërkombëtarët dënojnë dhunimin e varreve serbe në Kosovë

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka dënuar incidentet e fundit në vend, të cilat kanë përfshirë përdhosjen e varrezave ortodokse serbe.“Këto akte të dënueshme dëmtojnë aspiratat evropiane të Kosovës dhe janë në kundërshtim me vlerat universale. Ne mirëpresim deklaratën e Policisë së Kosovës, e cila bën thirrje për respektimin e të gjitha objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore”.“Ne po ashtu presim masa të mëtejshme, jo vetëm për të identifikuar autorët e këtyre akteve të neveritshme, por edhe për të parandaluar incidente të tjera”, thuhet në reagimin e UNMIK-ut.Persona të paidentifikuar kanë dëmtuar disa varreza ortodokse serbe në Prizren dhe Kllokot. Akti thuhet se ka qenë hakmarrje ndaj largimit të lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, nga ana e xhandarmërisë serbe.Autoritetet e rendit në Kosovë kanë njoftuar sot për një numër varrezash ortodokse serbe, të dëmtuara në Prizren dhe në Kllokot.Akti i tillë është dënuar edhe nga autoritetet e larta kosovare.EULEX: Përdhosja e qëllimshme e varrezave dhe objekteve fetare është absolutisht e dënueshmeMisioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka dënuar aktet e vandalizmit dhe format e tjera të dhunës, pas dëmtimit të disa varrezave ortodokse serbe, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.“Protestat paqësore janë normale në çdo shoqëri moderne dhe demokratike, por përdhosja e qëllimshme e varrezave dhe objekteve fetare është absolutisht për t’u dënuar”, thuhet në deklaratën e EULEX-it.Misioni po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj çdo akti të dhunshëm.Ambasada e Shteteve të Bashkuara: Sulme të tilla vënë në shënjestër komunitetet e KosovësAmbasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka thënë se ka parasysh rëndësinë e heqjes së monumentit shqiptar në Luginën e Preshevës dhe ka shprehur keqardhje që ky veprim ka shkaktuar një reagim të dhunshëm në Kosovë.“Shtetet e Bashkuara dëshpërohen nga përdorimi i dhunës dhe dënojnë përsëritjen e saj kundër monumenteve të serbëve të Kosovës dhe kishave...”.“Këto sulme, jo vetëm që dëmtojnë frymën e multikulturalizmit në Kosovë, por ato gjithashtu vënë në shënjestër komunitetet e Kosovës për vendimet e marra në Beograd”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.Shtetet e Bashkuara, përmes deklaratës së lëshuar nga ambasada në Prishtinë, i kanë bërë thirrje popullit të Kosovës që të respektojë vlerat e përbashkëta të paqes dhe të tregojë vetëpërmbajtje.Zhbogar: E papranueshme, pavarësisht arsyeveKreu i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar, njëherësh Përfaqësues Special i BE-së në vend, ka dënuar aktin e vandalizmit të varrezave ortodokse serbe në Prizren dhe Kllokot.“Ngjarjet në Kosovë, në 24 orët e fundit, kanë treguar se disa njerëz e kanë parë të arsyeshme të shprehin zemërimin e tyre për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë me dëmtimin e varrezave në Kosovë, ku serbët janë të varrosur”.“Pavarësisht arsyeve për akte të tilla, ato janë krejtësisht të papranueshme. Andaj, unë i dënoj këto veprime në mënyrën më të fuqishme dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përmbajtje dhe maturi”, ka thënë Zhbogar përmes një deklarate dërguar mediave.Ai po ashtu u ka bërë thirrje autoriteteve që të parandalojnë krimet e tilla me masa parandaluese.