Maqedoni,ndërkombëtarët plan për shtyrjen e zgjedhjeve
Faktori ndërkombëtar është përfshirë në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, pas protestave dhe bojkotit të opozitës.Burime për mediat maqedonase theksojnë se bashkësia ndërkombëtare nën ndikimin e madh ndaj faktorit politik maqedonas ka kërkuar gjetjen e zgjidhjes dhe tejkalimin e krizës politike.Një nga gazetat “Utrinski” shkruan se përfaqësuesit ndërkombëtarë të ambasadave së bashku me liderët politik po punojnë intensivisht për përafrimin e qëndrimeve midis dy partive më të mëdha VMRO-DPMNE dhe LSDM. Presioni po ndodhë pasi janë intensifikuar edhe negociatat për të arritur zgjidhje rreth kontestit të emrit me Greqinë.Burime jozyrtare diplomatike kanë thënë se ka edhe propozim konkret për të tejkaluar krizën, që është shtyerja e zgjedhjeve lokale për në qershor, ndërsa më pas shqyrtimi edhe i mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në pako me ato lokale, ashtu siç këmbëngul opozita me protestat e saj.Kjo kërkesë deri tani është hedhur poshtë nga partitë qeveritare VMRO-DPMNE dhe BDI, por edhe tek opozita shqiptare, siç është PDSH-ja. Por, ky propozim do të jetë si kusht që opozita të kthehet në Parlament dhe të miratohen ndryshimet e Kodit zgjedhor, ndryshimet për shtyerjen e datës së zgjedhjeve si dhe ligje të tjera të rëndësishme me siglën e BE-së.Mediat kanë raportuar se në procesin e gjetjes së kompromisit për të zhbllokuar situatën politike është përfshirë ambasadori amerikan Pol Volers, i cili së fundi ka shtuar takimet me liderët politik dhe institucional në Maqedoni. Por, nga ana tjetër, raportet edhe për një angazhim të ambasadorit të BE-së, Aivo Orav.