Heqja e lapidarit, protestë popullore në Preshevë
Sot në Preshevë do të mbahet një protestë gjithëpopullore e shqiptarëve të Luginës të cilët do të kundërshtojnë heqjen e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së .Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të liderëve politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës lidhur me shqyrtimin e situatës më të re pas heqjes së lapidarit të dëshmorëve nga sheshi i Preshevës, siç u quajt, nëpërmjet një akti vandal të xhandarmërisë së Serbisë.Liderët përmes një konference për gazetarët bënë thirrje për qetësi dhe për ruajtjen e gjakftohtësisë nga popullata shqiptare e këtij rajoni, duke mos rënë pre e provokimeve të tjera.Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka theksuar se janë shkëputur kontaktet me autoritetet qendrore serbe pas aktit vandal të heqjes së lapidarit dhe se nuk dihet, sipas tij, destinacioni i këtij monumenti historik i shqiptarëve të kësaj treve.Ndërsa, situata e sigurisë në Luginë të Preshevës paraqitet e tensionuar, rrugët e Preshevës thuajse janë të zbrazura dhe vërehen lëvizje shumë të pakta të qytetarëve, por një shtim të forcave të sigurisë.Autoritetet serbe hoqën dje lapidarin e UÇPMB-së në Luginën e Preshevës në orët e para të mëngjesit, duke i dhënë fund debatit që ka shkaktuar tensione mes Beogradit dhe Prishtinës.Më shumë se 200 forca të xhandërmarisë serbe të armatosur rëndë u vendosën në sheshin kryesor të Preshevës, 350 kilometra në jug të Beogardit dhe kanë lëvizur lapidarin ku shkruhen emrat e 27 ushtarëve shqiptarë që humbën jetën një dekadë më parë.Anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit u rebeluan në vitin 2000, duke kërkuar bashkimin e zonës me Kosovën. Luftimet përfunduan në Maj të vitit 2001.Autoritete e Beogradit i konsiderojnë luftëtarët e UCPMB-së si terroristë e ndërsa për shqiptarët të cilët përbëjnë 70 për qind të popullsisë i konsiderojnë heronj.Lapidari i vendosur para bashkisë së qytetit, është cilësuar nga kryeministri i Serbisë si një provokim i hapur e ndërsa koha që autoritetet vendore ta largonin ishte data 17 janar.Bashkia e Preshevës kishte propozuar që lapidari të vendosej në oborrin e një xhamie vendase por propozimi nuk u pranua. Gjatë debateve është kërkuar dhe ndërhyrja e qeverisë së Prishtinës dhe Tiranës për të ndërmjetësuar për çështjen.