Daçiç provokon sërish: Nuk negociojmë me terroristët!
Ambasadat amerikane dhe britanike në Beograd kanë shprehur keqardhje për vendimin e njëanshëm të qeverisë së Serbisë për të hequr monumentin e UÇPMB-së në Preshevë. Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se “ka mbaruar rrëfimi për monumentin në Preshevë”. Sipas tij, ai nuk ka shkaktuar krizë, por se ajo është shkaktuar “nga shqiptarët në jug të Serbisë”."Unë nuk besoj se veteranët e Al-Kaedas pyeten në Shtetet e Bashkuara apo ata që kanë bërë akte terroriste në Londër e Madrid, nëse duan të vendosin monument. Fakti se Serbia dëshiron të negociojë, dikush këtë e sheh si dobësi tonën. I keni dëgjuar deklaratat e tyre, se ata do të vazhdojnë të luftojnë me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Cili komuniteti ndërkombëtar? Mbase unë e njoh bashkësinë ndërkombëtare dhe negocioj me ta", ka shtuar ai.Ai ka theksuar më tej se nuk do të negociojë me terroristët dhe se në Serbi do të vijojnë të zbatohen të gjitha ligjet.“Në Serbi do të respektohen ligjet. Thaçi mund të vë doganierët në pikëkalimet administrative e pastaj thonë se duhet të respektohen ligjet e Kosovës, por kur duhet të respektohen ligjet e Serbisë, hajt të bisedojmë. Nuk ka negociata me terroristët. Me ata që lavdërojnë terrorizmin nuk mund të negociohet. Mund të negociohet me ata që duan të jenë pjesë e sistemit tonë politik dhe kushtetues. Nëse ne nuk kemi treguar tolerancë të mjaftueshme, atëherë unë nuk e di se kush ka treguar ” ka shtuar Daçiç.