Takimi Thaçi-Daçiç, arrihet marrëveshje për doganat

Në Bruksel përfundoi takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.Takimi që nisi rreth orës 20:00 përfundoi pas orës 01:00 ndërsa u biseduan për një sërë  çështje që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës.Shefja e Politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson bisedimet tha në një deklaratë për shtyp se “diskutimet ishin të gjata dhe konstruktive”. Ajo tha se dy kryeministrat kanë rënë dakort që të takohen sërish në muajin shkurt.Në deklaratë thuhet se të dy kryeministrat kanë arritur një marrëveshje për pagesën dhe mbledhjen e taksave doganorë në katër vendkalimet kufitare ku tashmë po zbatohet marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit.Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, tha menjëherë pas takimit se është arritur marrëveshja përfundimtare për doganat dhe tani e tutje ato do të paguhen njësoj në të gjitha vendkalimet kufitare.Thaçi theksoi gjithashtu se pala serbe ka marrë përsipër që të punojë për mënjanimin e strukturave paralele në veriun e Kosovës.Ndërsa Kryeministri serb Ivica Daçiç tha se paratë e mbledhura nga doganat në veri do të derdhen në një fond që do të themelohet nga Bashkimi Evropian dhe ato do të shfrytëzohen vetëm për veriun e Kosovës.“Për herë të parë seriozisht është hapur çështja e paralelizmit të institucioneve dhe qasjes së posaçme ndaj popullit serb që jeton në Kosovë. Kjo është çështje thelbësore që nuk mund të zgjidhet për një natë, por rruga është hapur” tha Daçiç. Sipas tij zgjidhja qëndron në formimin e institucioneve të reja në veri që do të ishin të pranueshme edhe për Prishtinën edhe për serbët e Kosovës.Takimi u shoqërua nga protestat e veprimtarëve të lëvizjes “Vetëvendosje” në Bruksel të cilët kundërshtojnë bisedimet e pakushtëzuara me Serbinë, duke i vlerësuar ato si të dëmshme për sovranitetin e Kosovës.Takimi i djeshëm është i katërti me radhë në nivelin e lartë politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. E ky normalizimin është kushti kryesor për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.