Koalicion joformal PDK-AAK, mbetet në udhëkryq partia në qeveri, AKR

Mbetet i paqartë fati i koalicionit qeverisës mes PDK-së dhe AKR-së pas zhvillimeve të fundit të cilat shqetësuan partnerin e koalicionit, AKR-në. Këta të fundit janë në pritje të kryeministrit Thaçi për të rinegociuar marrëveshjen e koalicionit duke mos përjashtuar as mundësinë e largimit ndërkohë që PDK nuk ndihet e shqetësuar për këtë duke konstatuar se koalicioni po funksionon mirë.Nga ana tjetër, brenda AAK-së flitet se mes liderit të kësaj partie Ramush Haradinaj dhe kryeministrit Thaçi është arritur marrëveshje jo-formale për një koalicion të ri PDK-AAK.Kushtëzimi i Aleancës Kosova e Re pas kalimit të ministrit të saj Agim Çeku tek PDK nuk e ka shqetësuar fare këtë të fundit. PDK konsideron se koalicioni qeverisës po funksionon mjaft mirë. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci thotë se nuk ka lëkundje në koalicionin PDK-AKR."E them me përgjegjësi të plotë se koalicioni është stabil, funksional dhe do të vazhdojmë punën tonë drejt realizimit të synimeve tona. Aderimi i Çekut në PDK do të ndikojë pozitivisht edhe për vet AKR-në”, ka thënë Grabovci.Mirëpo, ndryshe është përjetuar largimi i Çekut nga AKR, e cila i ka dhënë atij udhëheqjen e një prej resorëve që i takonte ta drejtonte në bazë të marrëveshjes së koalicionit. Në një komunikatë për media të lëshuar mbrëmë, AKR e vlerëson këtë zhvillim si shumë negativ për mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.Për më tepër, kjo lëvizje, sipas AKR-së, tregon dobësinë që PDK ka shfaq ndaj partnerëve të tjerë në koalicion. Andaj ky subjekt politik ka bërë të ditur se do të rishikojë tërë marrëveshjen dhe pozicionin e saj në kuadër të koalicionit qeverisës.Një gjë e tillë për shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së shihet si e panevojshme:"Nuk ka nevojë të rinegociohet marrëveshja, mirëpo, janë disa çështje që u takojnë partive politike, përkatësisht kryetarit të PDK-së dhe atij të AKR-së të diskutohen”Sidoqoftë, zyrtarë të AKR-së kanë thënë se janë në pritje të kthimit të kryeminsitrit Thaçi nga Brukseli për të rishikuar marrëveshjen e koalicionit. Në këtë nuk përjashtohet as mundësia e largimit të këtij subjekti politik nga koalicioni qeverisës në rast se PDK i fundit nuk i përmbahet marrëveshjes së koalicionit.Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si një subjekt i cili tash e disa muaj ka shfaqur gatishmërinë për të hyrë në koalicion qeverisës, duket se është më afër realizimit të qëllimit. Zyrtarë të kësaj partie gjatë ditës së sotme nuk kanë dashur të komentojnë asgjë rreth hapave të ardhshëm.Mirëpo, burime brenda këtij subjekti kanë thënë se mes PDK-së dhe AAK-së tashmë është arritur një marrëveshje jo-formale e cila i mundëson liderit të AAK-së marrjen e postit të kryeministrit.Sidoqoftë, gjithçka rreth koalicionit të ardhshëm pritet të formalizohet pas zgjedhjeve të brendshme në PDK.