Takohen Daçiç dhe Millanoviç, premtojnë se do jenë partnerë në punë

Kryeministri serb Ivica Daçiç është takuar me homologun e tij kroat, Zoran Millanovic, disa kohë pas acarimit të marrëdhënieve për shkak të lirimit të gjeneralëve kroat nga Gjykata e Hagës, gjë që shkaktoi reagime të ashpra të serbëve.Mes të dyja vendeve ekzistojnë padi në gjyq për dëmet e luftës dhe krimet. Marrëdhëniet mes të dyja shteteve, në kohën kur Kroacia pritet të hyjë në Bashkimin Evropian janë konsideruar si më të këqijat.“Marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Kroacisë janë kyçe për marrëdhëniet në tërë rajonin. Andaj, është e rëndësishme që Qeveritë e Serbisë dhe të Kroacisë të bashkëpunojnë në realizimin e kompetencave të tyre të parapara me ligj dhe kushtetutë. Të gjitha ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona janë pjesë e punëve të qeverive dhe duhet të kemi një bashkëpunim operativ”, tha Daçiç.“Kam ardhur në Beograd ta shoh nëse mundemi më mirë, ne Kroacia dhe Serbia, Serbia dhe Kroacia. Dy shtete fqinje që kanë kaluar nëpër vite të vështira në 20 vjetët e fundit, të cilat tregojnë se politika nuk është vetë kuptim, por edhe ndjenjë. Ne na takon që të bëjmë atë që mundemi. Këto që përmendi z. Daçiç në marrëdhëniet tona, nuk ka ndodhur asgjë e re, vetëm kemi humbur gjysmë viti”, tha Millanovic.Kjo vizitë kishte si qëllim forcimin e marrëdhënieve, ndërsa presidenti serb, Tomisllav Nikollic, ka thënë se së pari është dashur të takohen presidentët. Kryeministri kroat nuk e ka takuar atë.Kroatëve dhe shumë shteteve të rajonit nuk u kanë pëlqyer deklaratat e presidentit serb, i cili fillimisht kishte folur për tokat serbe dhe kishte mohuar gjenocidin në Srebrenicë. Por, Kryeministrat premtuan se do të jenë partner në punë.