Nikoliç i surprizuar dhe kundër deklaratës së Daçiç
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç deklaroi të mërkurën se është habitur nga deklaratat e djeshme të kryeministrit Daçiç, i cili nuk e kishte përjashtuar anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në OKB në shkëmbim të një marrëveshjeje globale mes Beogradit dhe Prishtinës.“Nuk e di se çfarë ka thënë saktësisht kryeministri. Dje ishim bashkë, folëm për shumë gjëra, por jo për këtë çështje. Dua të di saktësisht atë që ka thënë, por nëse ka menduar se Serbia, me disa kushte të mirëpërcaktuara, mund të njohë Kosovën dhe Kosova mund të bëhet anëtare e OKB-së, me këtë unë nuk jam dakord”, deklaroi Nikoliç gjatë një takimi me gazetarë të huaj.Nikoliç theksoi se Beogradi nuk ka ndërmend të njohë dhe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.Ndërkohë, kryeministri Daçiç duket se është tërhequr nga deklarata për një marrëveshje me të cilën Kosovës do t’i mundësohej anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, duke thënë se është “iluzore” bile të diskutohet çështja pa zgjidhje gjithëpërfshirëse për Kosovën.“Nëse nuk ka diskutim për status, për zgjidhjen finale ose gjithëpërfshirëse, atëherë do të ishte iluzore të bisedohet për anëtarësim në OKB ose në organizata tjera, pasi Serbia kurrë nuk do të pajtohet për këtë dhe nuk ka dilema për këtë çështje nga ana jonë”, tha ai sot në Beograd.Sipas tij, Serbia nuk do të “pranojË zgjidhje të pjesshme, pasi anëtarësimi në OKB është çështje fundamentale dhe Serbia me siguri nuk do ta pranojë atë”, tha kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç.