Safet Gjici: Shkëlqim Muçën e largova se bënte dallavere me lojtarët
Dy ditë pas largimit të Shkëlqim Muçës nga drejtimi i ekipit të Kukësit, presidenti Safet Gjici ka lëshuar një deklaratë për mediat ku akuzon rëndë trajnerin e njohur kryeqytetas. Deklarata e tij vjen pasi Muça tha për mediat se kushtet e kontratës që Gjici i ofroi ishin absurde. Deklarata e presidentit të veriorëve vijon më poshtë:“Dallaverexhiu, Shkëlqim Muça u largua nga drejtimi i ekipit, pasi u konstatua se po bënte dallavere me menaxherë dhe lojtarë, duke mashtruar klubin për përfitime personale.Jashtë sferës së punës së tij, ai është marrë madje dhe ka sjellë tre lojtarë në ekip si preferenca personale të tij, duke diskriminuar dhe lojtarë me peshë, siç është Vilfor Hysa, apo ndonjë tjetër, dhe duke kërkuar që në ekip të vijnë lojtarë të tillë si Inkongo, Zhuta e të tjerë, që Kukësi ua ka mbyllur me kohë derën, por trajneri me vese Shkëlqim Muça, i mësuar me rryshfetin që u merr lojtarëve do t’i sillte në ekip. Ky zotëri, i dalë prej kohësh nga tregu sportit nuk tregoi asnjë vlerë tek ekipi ynë megjthëse nuk i ka munguar asgjë. Eleminimi nga Kupat e Europës, është përgjegjësi e tij dhe e ish-tranerit Agim Canaj.Ai ka refuzuar lojtarët që ka sjellë menaxheri i klubit, Adnad Oceli, i ngarkuar posaçërisht me këtë detyrë duke u bërë preferencial për disa lojtarë dhe diskriminues për të tjerë .Historitë e tij të dështimit ne klube të tjera s Flamurtari apo Skënderbeu, si dhe vesi i tij e vjetër i marrjes së “bakshishit”, nga lojtarët nuk mund t’i eci askujt tek Kukësi, dhe as Muçës, që ka dashur të mbushë xhepat e tij, duke dëmtuar imazhin dhe ecurinë e klubit. Muça nuk pati kurajon profesionale të nënshkruajë kontratën si gjithë stafi dhe lojtarët për titull kampion, ku përfshihen bonuset, por dhe penalitetet.Ai është mësuar që ta marrë para dhe kontrata të plota, dhe pas dy-tre muajsh të largohet nga drejtimet e ekipeve , duke i lënë në krizë ato.Duke parë këtë sjellje jo dinjitoze, unë nuk i kam ringarkuar më as detyrën e Drejtorit Sportiv.Muça nuk hoqi asnjëherë dore nga veset e tij. Për këta lloj njerëzish, dyert e Kukësit janë të mbyllura përfundimisht.”