Manjani qetëson skeptikët: Reforma territoriale jo ndarje kufijsh
Tiranë - Reforma Adminsitrativo-Territoriale ka për qëllim krijimin e zonave funksionale dhe jo ndarjen e kufijve. Kjo ka qënë përgjigja e nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, për të gjithë zërat kundër kësaj reforme, brenda dhe jashtë mazhorancës. Sipas tij, kundërshtitë vijnë si mungesë e informacionit por dhe ndikimeve të jashtme.“Nuk është qendra e botës territori i Republikës së Shqipërisë, që të ketë kaq shumë debate dhe të marrim të gjithë nga një sepatë dhe nga një metër, të ndajmë tokën se kush është e imja dhe kush është e jotja. Nuk po ndajmë tokat, ta kuptojmë këtë gjë, por po mundohemi të organizojmë territorin, që t’u shërbejmë njerëzve aty ku ata jetojnë. Prandaj ka dalë koncepti i zonës funksionale” – nënvizoi deputeti i LSI- së.Ylli Manjani, foli dhe për reformën në Drejtësi, e cila sipas tij duhet të jetë një e thellë, që të shpëtojë sistemin nga kriza që e ka rrethuar. Politika, tha ai, nuk duhet të kopleksohet si udhëheqëse e saj, duke përfshirë gjërësisht ekspertizën e institucioneve ndërkombëtare.“Të gjithë po e kuptojmë se sa e thellë është kriza në sistemin gjyqësor,- u shpreh Manjani,- E dyta që po fillojmë të kuptojmë dhe duhet të kemi tashmë gati, se sa e thellë duhet të jetë reforma në sistemin gjyqësor, reforma në drejtësi duhet të jetë absolutisht më e thella që ka ndodhur ndonjëherë” - tha Manjani.Manjani vlerësoi, angazhimin e opozitës dhe e lexon si sinjal pozitiv dokumentin strategjik të saj për reformën në drejtësi.“Ka dështuar të ngrejë çështje parimore deri më sot, deri më sot ka ngritur çështje personale, është marrë me persona. Kemi një farë të drejtë për të qënë skeptik, por sidoqoftë deklarimi i djeshëm që janë të gatshëm për të kontribuar në reformimin e sistemit të drejtësisë është një gjë e mirë” – tha deputeti Manjani.Nënkryetari i Levizjes Socialiste për Integrim, komentoi dhe debatin e fundit brenda radhëve të mazhorancës mbi byronë e hetimit. Teksa tha se ngritja e një institucioni të tillë është mjaft i rendësishëm, ai është i mendimit që ky institucion të jetë i shkëputur nga Ministria e Brendshme.“Për mua realisht duhet të ishte 100% nën varësinë e Prokurorisë, sepse kjo do ta ndante më mirë funksionin shtetëror të ekzekutimit, me funksionin shtetëror të luftës kundër krimit. Eksekutivi në tërësi nuk vjen në punë për të luftur, ekzekutivi vjen për të zgjidhur punë. Luftën kundër fenomeneve përfshi edhe keqqevrisjen për shkak të shkeljes së ligjit, i takon Prokurorisë. Megjithatë nuk është ndonjë blasfemi nëse byroja e hetimit do të ishte në varësi të Ministrit të Brendshëm apo Ministrit të Drejtësisë që është një opsion tjetër” – nënvizoi Manjani.m.p/Oranews.tvTë parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter