Kukës, rrezikohet prodhimi i sherebeles, Fermerët: Grumbulluesit marrëveshje mes tyre, ulën çmimin
Kukës - Më shumë se 3 mijë kuintal me bimë medicinale të llojit sherebele, masë të thatë, të kultivuar në më shumë se 60 hektar tokë e qarkut të Kukësit, rrezikon të mbetet stok pa u shitur, duke qenë se grumbulluesit kanë ulur në mënyrë të papritur çmimin e blerjes së saj. Të alarmuar, pasi i gjithë mundi mund të shkojë dëm, fermerët e qarkut të Kukësit kërkojnë ndihmën e institucioneve pasi sipërfaqet e kultivuara me këtë bimë janë shumë të mëdha, kjo pas subvencioneve që ka dhënë Ministria e Bujqësisë.Gjatë këtij viti, është shënuar një interesim i lartë i fermerëve të qarkut të Kukësit, për kultivimin e bimës medicinale të sherebelës. Ata i kanë dhënë fund kultivimit të misrit apo grurit në tokat e tyre, për të përfituar më shumë nga kultivimi i sherebeles. Vetëm në pyjet e livadhet e qarkut të Kukësit rriten mbi 120 lloje të ndryshme bimësh mjekësore, ku vend kryesor e zënë sherebela, boronica, shtogu, agulicja, lule manushaqja etj. Në qarkun e Kukësit, bima medicinale e sherebeles është kultivuar për herë të parë, në gjëndje jo të egër, në vitin 2008.