Basha: Tirana nuk do të ketë më zona të diskriminuara apo të paragjykuara nga Bashkia

Tirana nuk do të ketë më zona të diskriminuara apo të harruara, përsa i përket investimeve të Bashkisë së Tiranës. Garancia është dhënë sot nga Kryebashkiaku Lulzim Basha, gjatë inspektimit të punimeve për urbanizimin e Bllokut nr. 53, në njësinë bashkiake nr. 9.“Sot jemi në këtë zonë, për të përmbushur një premtim të shndërruar në një projekt me buxhetin e vitit 2012, projekt i cili nis të zbatohet sot dhe do të përfundojë në jo më shumë se 6 muaj. Ky është projekti i urbanizimit të këtij blloku, me afro 3 mijë banorë, nëpërmjet shtrimit të të gjithë rrugëve të bllokut, pajisjes me sinjalistikë dhe me ndriçim. Në këtë mënyrë i japim fund çdo trashëgimie 10-vjeçare të indiferencës së Bashkisë, për këta banorë të kryeqytetit, për këta banorë të Tiranës, largimin e diskriminimit faktik, nëpërmjet mungesës së fondeve apo edhe paragjykues, pasi shpjegim tjetër për lënien në këtë gjendje të këtyre rrugëve nuk ka” – u shpreh z. Basha.Në këtë bllok me sipërfaqe 4.5 ha do të kryhet asfaltimi i 790 ml rrugë, do të ndërtohet sinjalistika, do të vendoset ndriçim i ri rrugor, sikundër dhe rrjeti i kanalizimeve aty ku mungon. Me një investim prej 18,4 milionë lekësh, në një afat kohor prej 6 muajsh, këta banorë do t’i thonë “lamtumirë” baltës në dimër e pluhurit në verë dhe do të kenë një cilësi jete, të njëjtë me qendrën e qytetit.“Duke investuar paratë e buxhetit, anembanë qytetit të Tiranës por në veçanti në ato zona të cilat janë parë me syrin e njerkës, në veçanti në 10 vitet e fundit, ne nuk bëjmë tjetër veçse avancojmë standardin e një cilësie të lartë jetese, sepse ky standard nuk mund të ekzistojë nëse është i kufizuar vetëm në qendër, në bllok apo vetëm rreth shtëpisë së kryetarit apo ish-kryetarit” – theksoi përgjatë prononcimit, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha.