Aksident i rëndë në kryeqytet, 2 të vdekur dhe 2 të plagosur nga përplasja e dy automjeteve

Rrugët e kryeqytetit janë përgjakur mbrëmjen e të premtes nga një aksident i rëndë automobilistik, për pasojë të së cilit kanë gjetur vdekjen dy persona ndërsa kanë mbetur të plagosur dy të tjerë.Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e vona të 11 janarit në ‘Qafë Kashar’, ku dy automjete njëra tip ‘Benz’ me targë AA 066 CN dhe një ‘Audi’ me targë AA 889 AY janë përfshirë në aksident.Për pasojë dy persona kanë humbur jetën, shoferi dhe pasagjeri i makinës tip ‘Benz’, përkatësisht Gjovalin Deda 23 vjeç dhe Kaon Markgjini 29 vjeç nga Lezha, ndërsa për nxjerrjen e trupave të viktimave është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse pasi makina ishte ndarë në dy pjesë.Ndërkaq ende nuk dihen emrat e  personave të plagosur, të cilët po marrin ndihmën mjekësore në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ndërsa sipas policisë shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e madhe dhe lagështira e rrugës. Nga ana e bluve kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit të rëndë.