Pagat për administratën, MF: Disbursimi total përfundon nesër në mesditë

Pasditën e së enjtes pritet të marrë fund ankthi i qindra buxhetorëve dhe jo vetëm, ai i disbursimit nga shteti për rrogën e parë të këtij viti. Pas sqarimit të dhënë ngaKryeministri në mbledhjen e sotme të qeverisë edhe Ministria e Financave duket se ka përshpejtuar punën në këtë drejtim dhe në nje njoftim për mediat ka bërë të ditur se pagesat përfundojnë totalisht nesër në mesditë.Sipas MF-së proçesi po ecën normalisht dhe drejtoria e thesarit po punon për të hedhur të dhënat. Ndërkaq po sipas Ministrisë së Financave kanë përfunduar punën Ministria e Brendshme, e Arsimit, pensionet dhe ndihmat ekonomike, ndërsa u bëri thirrje institucioneve të paraqesin liste-pagesat, pasi fondet jane çelur.Më herët Kryeministri Berisha ka sqaruar situatën me vonesën e pagave për administratën, duke thënë se nuk ka pasur mungesë fondesh por vonesë të listëpagesave. Në këtë mënyrë kryeministri ka hedhur poshtë zërat për mos disbursim ndërsa tha se keqpërdorimi i kësaj situate nga opozita, e lë këtë qeveri në pushtet edhe katër vitet e ardhshme.Kryeministri iu referua edhe vonesave në disbursimin e invalidëve të cilat i cilësoi si të papranueshme por shtoi se qeveria ka bërë maksimumin për ta. Kryeministri tha se qeveria ka rritur vazhdimisht mbështetjen për këtë kategori shoqërore.Nga ana tjetër PS përmes deputetes Eglantina Gjermeni duke e vlerësuar situatën si absurde dhe të patolerueshme për 90 mijë punonjës të administratës shtetërore, tha se është e qartë se ky shtet nuk ka para.