Korrupsioni, Prokuroria e Përgjithshme nis kontrollet në rrethe
Ardhja e Adriatik Llallës në krye të akuzës shqiptare ashtu sic u premtua nga ai do të sjellë ndryshime dhe ristrukturime në organizimin e punës së Prokurorisë.Kështu me urdhër të tij Prokuroria e Përgjithshme ka nisur kontrollin në disa prokurori të rretheve kryesore, kjo bazuar në një plan punë të hartuar nga kryeprokurori i ri Adriatik Llalla.Sipas këtij plani të ndërmarrë nga Drejtoria e inspektimit do të shtohen 6 prokurorë të rij, të cilët do të nisin kontrollet në prokuroritë më të rëndësishme të vendit.Nisma e Prokurorisë së Përgjithshme vjen vetëm pas një ditë ku Adriatik Llalla në një tryezë me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu dhe Ministrat kryesorë të qeverisë deklaroi se krimi i organizuar dyshohet se korrupton zyrtarët, të cilët janë të ngarkuar për të hetuar pikërisht krimin.Kjo nismë e organit të akuzës vjen në kuadër të luftës kundër korrupsionit brenda rrathëve të prokurorëve. Kryeprokurori i ri në ditën e tij si Prokuror i Përgjithshëm pati deklaruar se prioritet i tij në detyrën e tij do të jetë lufta ndaj korrupsionit dhe rikthimi i besimit të qytetarëve në prokurorinë shqiptare.Kështu levizjet e fundit të bëra në Prokurorinë e Tiranës dhe atë krimeve të rënda, nisma për kontrollin e punës në prokuroritë e rretheve janë lëvizje të cilat premtojnë zhvillime të tjera në akuzën shqiptare.