Zgjedhjet 2013, Islami: PD-LSI fitore e garantuar, LSI përcaktuese edhe në 2013

Përkundër prurjeve të shumta në tregun elektoral të cilat do të garojnë për ndarjen e trofeut më 23 qershor, për deputetin e larguar nga radhët e PS dhe ish Ministër i Punëve të Jashtme, Kastriot Islami Partia Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës do të vazhdojë të jetë përcaktuese edhe në këto zgjedhje parlamentare. Ndërsa vetë LSI ende nuk është shprehur rreth formatit sesi do dalë në këto zgjedhje, Islami në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News deklaroi se një koalicion PD-LSI parazgjedhor apo postzgjedhor garanton suksesin për një mandat të tretë për mazhorancën aktuale. Lidhur me këtë ai dha dhe arsyet duke e analizuar historikun ndër vite se pse LSI mbetet më pranë PD sesa PS.“Janë dy opsione ose vazhdimi i ndryshimit ose ndryshimi i vazhdimit. Nga një sërë faktorësh arrij në konkluzionin që situata është e balancuar për shumë arsye, kjo kthehet e gjitha në një rezultat matematik. Në këtë kuptim është e qartë se LSI nëse ruan dimensionin e saj dhe ka 10 vite që e ruan, nëse e ruan dhe shanset janë që ta bëjë, LSI është një faktor kryesor përcaktues. LSI ka tre mundësi, ose të rrije e vetme, ose të dalë me PS, ose me PD. Unë jam munduar të shikoj pozicionin e LSI lidhur me këto paramtra, pozicionin asimetrik që ka me dy partitë, një prej tyre është analiza e koalicioneve se nëse bashkohet me PD fitorja është e sigurt. Ndërsa bashkimi PS-LSI varet shumë nga mënyra sesi do ndërtohet ky koalicion, nuk është e sigurt që kjo jep fitore. Koalicioni LSI-PD do ti ngjante bashkimit vaj-ujë, kurse PS-LSI ujë-alkool dhe mund të përzihen, elektorati mund të lëvizë lirisht dhe kjo zmadhohet në momentin që bie arsyeja e keqkuptimit, kjo s’dihet kë do zmadhonte LSI apo PS. Ka dhe një asimetri tjetër, bashkëpunimi LSI-PS është negativ, ndërsa me PD situata është e qartë, secili ka pozicionin e tij, nuk ka konflikte interesi. Një pyetje që shtrohet është, nëse do dalë vetëm apo në koalicion? Edhe kjo është asimetrike, do të marrë ato mandate që do të merrte edhe në koalicion. Do ishte forcë përcaktuese për të përcaktuar mazhorancën e ardhshme” tha ai.Duke iu referuar ftesës së vazhdueshme të kreut të selisë rozë ndaj LSI, për t’iu bashkuar frontit opozitar, Islami vlerëson se është konditë e nevojshme por jo e mjaftueshme, duke sjellë në vëmendje një sërë problemesh që e kanë shoqëruar marrëdhënien ndërmjet dy partive, e duke vecuar ngjarjen e 21 janarit.“E para nuk mjafton ftesa, është konditë e nevojshme por pasi ta ftosh duhet ndërtuar mirë koalicioni, historia e marrëdhënies mes tyre ka një sërë problemesh që në një mënyrë apo një tjetër nuk e miratojnë bashkimin. Rama mund të jetë pro, por a e ndjekin votuesit këtë nismë? E njëjta gjë vlen edhe për LSI. Ka segmente që e përcaktojnë Ramën si ideatorin e vrasjes së liderit të tyre, pra ka nevojë të kurohet në themel kjo cështje. Nga ana tjetër PS është transformuar gjatë këtyre viteve, është kthyer në një parti klienteliste ku ka tërhequr pas vetes g99, e cila mendohet se ishte një parti e krijuar nga Rama për shkatërrimin e LSI. Ndërkaq bashkëpunimi me PD është cilësor. Berisha e ka kuptuar që nëse do të rrijë në pushtet duhet ti japë pushtet LSI jo vetëm nga ana sasiore por dhe cilësore” deklaroi Islami.E ndërsa janë jo të paktë zërat që qarkullojnë për mundësinë që LSI të tërheqë rreth vetes aleatë nga e majta, deputeti Islami nuk zeron mundësitë, por as i maksimalizon ato. Megjithatë për të është qartazi e dallueshme se forca e djathtë më e madhe në vend kujdes maksimal tregon ndaj LSI,  pasi nuk ka  vetëm vota por dhe mandate, pra një forcë përcaktuese, ndërsa partitë e tjera mund të ishin forca mbështetëse dhe PD do t’i mirëpriste.Për të vazhuar logjikën e tij të parashikimeve, Kastriot Islami vlerëson se dalja në koalicion parazgjedhor LSI-PD, do të siguronte për këtë të fundit imunitet të plotë ndaj dyshes FRD-AK, por edhe në të kundërt ai nuk i sheh si kërcënuese për selinë blu sa kohë ato vazhdojnë ti qëndrojnë idesë për të dalë të vetme në zgjedhjet 2013.“Duhet pritur, por në përceptimin tim nëse PD-LSI kanë një koalicion parazgjedhor shanset e dëmtimit do ishin shumë të vogla, në  të kundërt dëmtimi do të ishte më i konsiderueshëm. Megjithatë fakti që këto dy forca do të dalin të vetme në fushatën zgjedhore sërish nuk na thotë gjë, pasi në historinë e krijimit të partive të reja ka një element të dallueshëm, dalin vetëm në zgjedhje dhe krijohet bindja se janë në kërkim të dy apo tre mandateve për kryetarin e tyre dhe nuk kanë pasur sukses” u shpreh Islami.Për t’iu rikthyer llogarive rreth të ardhmes së tij politike, Islami vlerëson se largimi i tij si dhe marzhinalizimi i një sërë figurash të rëndësishme të PS do të jenë një kosto për këtë parti. Duke mos preferuar sërish të publikojë verdiktin përfundimtar se ku do të pozicionohet, Islami lë të hapura të gjitha opsionet, tërhiqet pas idesë për krijimin e një force të re politike por që praktikisht e sheh të pamundur, një rikthim në PS smund të mendohet pasi u largua, jo u vetëlargua, në këtë mënyrë LSI mbetet  alternativa reale, megjithatë do të jetë vetë zoti. Islami që do ta zgjidhë këtë enigmë në ditët në vijim.