Takimi i 17 janarit në Bruksel, Kuçi: Nuk ka nevojë për platformë
Qeveria e Kosovës po përgatitet për takimin e 17 janarit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, baroneshës Catherine Ashton. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha pas mbledhjes së Qeverisë se në këtë takim, nuk do të prezantohet asgjë që do ta prishë bazën e Kushtetutës dhe të Pakos së Ahtisarit.“S’ka nevojë të ketë platformë që duhet të hiqen strukturat e sigurisë, nuk ka nevojë platformë që financimi duhet të jetë publik, nuk ka nevojë platformë që mos të ndërhyhet në punët e brendshme. Çdo gjë është në kuadër të pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Detajet mund të diskutohen, afatet kohore dhe bartësit e tyre”, tha Kuçi.Megjithatë, Kuçi pranoi se Qeveria po përgatitet që në këtë takim, siç u shpreh ai, mos të shkojë me ‘duar në xhepa’.“Ne nuk shkojmë bash me duar në xhepa, por nuk ka diçka që e prishë bazën e Kushtetutës, pakon e Ahtisarit, dhe nuk ka diçka që e nënshkruan kryeministri dhe të thotë kjo është e jona. Por, ne do të shkojmë të përgatitur. Ka pasur takime vazhdimisht edhe sot, kemi pasur takime si të jemi më të përgatitur”, u shpreh zëvendëskryeministri Kuçi.Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e parë të Qeverisë për vitin 2013, nuk foli asnjë fjalë për takimin e radhës me homologun serb që pritet të mbahet më 17 janar në Bruksel.Kreu i Qeverisë paraqiti prioritetet qeverisëse për këtë vit, ndër të cilat veçoi angazhimin për zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit.“Viti 2013 është vit i shënimit të 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në të cilin do ta bëjmë Kosovën edhe më të fuqishme, Kosova do të shënojë progres substancial edhe sa i përket rrugës së integrimit në NATO dhe BE. Viti 2013 do të shënojë përmirësim dhe njohje të reja për Republikën e Kosovës nga vendet që ende janë në proces të nohjes”, u shpreh Thaçi.Kryeministri Hashim Thaçi tha më tej se viti 2013 fillon me planin e ri të Qeverisë, i cili do të jetë plan i zhvillimit ekonomik, i zbutjes së papunësisë, luftimit të korrupsionit dhe i fuqizimit të zbatimit të ligjit.