Kocijançiç: Të shmangen tensionet e panevojshme në Luginë
Në selinë e BE-së pohojnë se janë duke ndjekur me vëmendje edhe situatën në jug të Serbisë, në Luginën e Preshevës, dhe shpresojnë që atje nuk do të krijohen tensione të panevojshme.Krahas situatës në veri të Kosovës dhe raportit në mes të Serbisë dhe Kosovës, që janë tema të dialogut që zhvillohet në Bruksel, në BE nuk dëshirojnë që edhe Lugina e Preshevës tani të shndërrohet në një zonë ku mund të ketë tensionime të reja.Komente të tilla, diplomatët e BE-së japin pas deklaratave të ndryshme që vijnë nga radhët e zyrtarëve serbë, por edhe të shqiptarëve të Luginës, si dhe të disa politikanëve shqiptarë në Tirnaë dhe Prishtinë, lidhur me mundësinë që të hiqet lapidari i ushtarëve të UÇPMB-së që është vendosur në Preshevë.Zëdhënësja e baroneshës Catherine Ashton, Maja Kocijançiç, ka thënë se kjo është çështje e brendshme dhe se duhet Qeveria e Serbisë, qoftë në nivel lokal apo qendror, të veprojë në kuadër të ligjeve të Serbisë, por gjithmonë duke pasur parasysh që të mos krijohen tensione të panevojshme.Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka deklaruar se nuk do të shkojë për t`u takuar me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi në Bruksel nëse nuk largohet përmendorja, që është vendosur për të nderuar dëshmorët shqiptarë të rënë në vitin 2001 në luftën kundër forcave serbe.