BE: Ndalimi i vizitës së Nikoliç nuk ndikon në takimin Thaçi-Dacic
Pjesë e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore janë edhe vizitat bilaterale dhe kjo vlen edhe në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Kështu porosisin zyrtarët e institucioneve me seli në Bruksel duke iu referuar moslejimit të vizitës në Kosovë të kryetarit serb, Tomislav Nikolic, për festën e Krishtlindjeve ortodokse.Në BE janë të mendimit se në të ardhmen do të ishte më mirë sikur vizitat bilaterale të zhvillohen në mënyrë më të lehtë.“Ekzistojnë tashmë procedurat e dakorduara për vizita, ndërsa Bashkimi Evropian vetëm vepron si lehtësues i komunikimit lidhur me këtë”, ka thënë Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.Kocijancic thekson se EULEX-i nuk është i përfshirë në procesin e vendim-marrjes, por monitoron dhe këshillon Policinë e Kosovës e cila ka rolin udhëheqës në sigurimin e vizitave të tilla.Zyrtarët e Bashkimit Evropian shpresojnë se çështja e moslejimit të vizitës së Nikoliqit në Kosovë nuk do ketë ndikim negativ në atmosferën e 17 janarit kur është paraparë takimi i radhës në mes të kryeministrit Kosovar Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Dacic.“Të dyja palët e dinë se dialogu është në interes të tyre, ndërsa ne presim që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë me përkushtim ndaj vazhdimit të procesit”, ka theksuar zëdhënësja e baroneshës Catherine Ashton. Takimin e radhës ajo e kualifikon si rast për të avancuar në procesin e dialogut.Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Evropian nënvizojnë se Brukseli nuk do prezantojë kurrfarë platforme në takimin e javës së ardhshme në mes të Thaçit dhe Dacicit.“Tashmë dihet se veriu do trajtohet në takimin e radhës por ne nuk do paraqesim kurrfarë dokumenti. Qëndrimet tona në lidhje me këtë çështje janë të përfshira në konkluzat e 11 dhjetorit dhe ne iu përmbahemi atyre“, ka thënë një burim nga selia e Bashkimit Evropian.