Nimic nis sot përpjekjen e re për emrin e Maqedonisë
Ndërmjetësi i OKB-së për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë, Metju Nimic ka nisur turin e tij në Athinë dhe Shkup. Edhe pse nuk ka paralajmërim zyrtar për agjendën e vizitës, mediat greke theksuan sot se diplomati amerikan i OKB-së vjen për të sjellë ide të reja për tejkalimin e kontestit disaveçar midis dy vendeve fqinje.Shefi i diplomacisë greke, Dimitris Avramopulos në prag të vizitës ka theksuar se Greqia dëshiron zgjidhje, që do të kënaqë pozicionet bazë kombëtare greke, duke respektuar historinë dhe kulturën, dhe për të forcuar stabilitetin rajonal dhe sigurinë.Ai ka thënë se kjo vizitë mund të krijoj përparime në raport me kontestin e pazgjidhur të emrit. Gazeta “Kathimerini” ka zbardhur një propozim të emrit, sipas së cilës ai vjen nga ndërmjetësi ndërkombëtar dhe bëhet fjalë për emrin “Republika e Maqedonisë Veriore”. Edhe portali grek “Kapital” gjithashtu ka paralajmëruar rreth këtij propozimi, duke nënvizuar se ai do ti shtrohet për shqyrtim autoriteteve në Athinë dhe Shkup.Gazeta “Etnos” ka shkruar se propozimi që do të vij nga Nimic do të jetë me përmbajtje gjeografike, pa e ditur se a do të jetë me emërtimin “Maqedoni” apo “Republikë”, dhe nuk do të prek çështjet e ndjeshme të identitetit dhe gjuhës. Gazeta komenton se këtë radhë, procesi i negociatave do të jetë i evidentuar edhe në raportin e evrokomisionerit për zgjerim, Shtefan Fyle.Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov para festave të fundvitit ka deklaruar se pret që ndërmjetësi i OKB-së të prezantojë nisma të reja dhe ide për zgjidhjen e kontestit të emrit.