Berisha insiston në krijimin e Ligës mbarëkombëtare të futbollit
Kryeministri Berisha mbetet i vendosur për krijimin e një Lige mbarëkombëtare të futbollit me Kosovën.Në një status të publikuar dje në rrjetin social Facebook, kryeministri Berisha thekson se tifozët kuq e zi janë frymëzuesit e bashkimit kombëtar."Idea e një Lige mbarëkombëtare të futbollit duket se është pritur me entuziazëm në tërësi, por në mënyrë të veçantë nga tifozat kuq e zi, si një akt tjetër në rrugën e bashkimit kombëtar. Në të vërtetë janë tifozët e mrekullueshëm kuq e zi frymëzues të krijimit të Ligës mbarëkombëtare të futbollit shqiptar. Ata prej vitesh bashkuan entuziazmin mbarëkombetar të futbollit shqiptar dhe u bënë si të thuash zgalemet e bashkimit kombëtar. Me kujtohet një ditë ndeshjeje ndërkombëtare se si ata kishin "veshur" Tiranën kuq e zi. Një diplomat i huaj kurioz dhe disi i shqetësuar më pyeti se ç'po ndodhte kështu. Une iu përgjigja shkurt: Shqiptarët po bashkohen, Tirana sot siç e shikon është e tyre dhe duket më e re dhe më e bukur se kurrë” shkruan kryeministri.Më tej, kreu i qeverisë shkruan se më parë krijimin e Ligës mbarëkombëtare të futbollit e pengonte diktatura ndërsa sot nuk e pengon askush. “Sot jemi të lirë dhe asgjë nuk mund të pengojë ekipet e qyteteve të trojeve etnike shqiptare të ndeshen njëri me tjetrin. Ato nuk kanë nevojë të marrin leje për ndeshjet e tyre jo miqësore por vëllazërore për bashkimin e kombit, futbollit të tij. Në fillim Liga nuk do ndryshojë përfaqësimin ndërkombëtar të futbollit shqiptar por do t'i japë një hov të ri futbollit në trojet etnike shqiptare, talenteve dhe yjeve të futbollit shqiptar. Ne do ta krijojmë atë!” përfundon kryeministri.