Instituti i Statistikave publikon të dhëna për prodhimin e Brendshëm Bruto
Instituti i Statistikave INSTAT ka publikuar të dhënat për prodhimin e Brendshëm Bruto.Sipas INSTAT, ekonomia në tremujorin e tretë të vitit 2012 u rrit me 2.7 përqind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2012 u rrit me 2.4 përqind. Në këtë tremujor degët që kanë pasur rritjet më të larta ishin Posta dhe komunikacioni, Industria dhe Shërbimet e tjera respektivisht me 21.6 përqind, 11.4 përqind dhe 9.1 përqind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2011.Degët që u paraqitën me rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishin Ndërtimi dhe Transporti , respektivisht me -16.5 përqind dhe -11.5 përqind.Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2012 me rritje u paraqit Industria me 10.3 përqind, Posta dhe komunikacioni me 3.3 përqind, Ndërtimi me 1.4 përqind dhe Transporti me 0.2 përqind.Tregtia, Hotele dhe Restorante u shfaq me rënie krahasuar me tremujorin para-ardhës respektivisht me -0.2 përqind.Dega e bujqësisë për këtë tremujor u rrit me 5.6 përqind, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011 dhe 1.3 përqind kundrejt tremujorit para-ardhës.