Gjiknuri: Berisha shantazh politik Kolegjit Zgjedhor
Partia Socialiste ka kundërshtuar sot vendimin e Kolegjit Zgjedhor për shtimin e numrit të ZAZ-ve ndërsa thekson se me këtë vendim Kolegji vë në rrezik standartet.Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste Damian Gjiknuri e cilësoi si shkelje të rëndë vendimin e Kolegjit pasi sipas tij ai nuk mund të merrte një kompetencë të cilën e ka Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.“Kolegji Zgjedhor dha një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin zgjedhor dhe me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. Kolegji Zgjedhor nga arbitër u kthye edhe rregullshkrues, për interes të një partie politike duke e komprometuar veten që në vendimmarrjen e parë për zgjedhjet. Njëanshmëria e vendimmarrjes në favor vetëm të interesave politike të PD, nuk krijon besim dhe klimë për zgjedhje të ndershme dhe të gjithëpranuara, gjë që po kërkohet nga i gjithë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar” tha Gjiknuri.Gjiknuri akuzoi kryeministrin Berisha se po tenton të kthejë Kolegjin Zgjedhor në një KQZ në kontroll të tij për të bërë vjedhjen e votave."Sali Berisha i zënë nga paniku i humbjes së zgjedhjeve por përdor çdo shantazh politik duke asgjësuar konsensusin në KQZ dhe duke përdorur Kolegjin Zgjedhor si një instrument partiak në shërbim të tij. Veprime të tilla provokojnë popullin, por votuesit janë të ndërgjegjshëm për rrezikun që i kërcënohet zgjedhjeve të lira dhe do të dinë t'i dalin për zot votës së tyre, pavarësisht rolit që do të luajë drejtësia e kontrolluar nga Berisha" shtoi GjiknuriNdërkohë një ditë më parë Kolegji Zgjedhor pranoi pjesërisht kërkesën e KQZ-së duke pranuar ndarjen në 89 ZAZ në të gjithë vendin.Kolegji Zgjedhor vendosi që numri i Zonave të administrimit zgjedhor, të cilit i korrespondojnë edhe qendrat e numërimit të votave për zgjedhjet e 23 qershorit të jetë 89, nga 66 që kanë qenë më parë.