Kryeministri Berisha premtoi sot më shumë transparencë për qytetarët si dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit.Duke folur në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, kryeministri Berisha ka kërkuar nga ministrat që brenda dhjetë ditëve çdo ministri të ketë numrin e vet jeshil, në të cilin qytetarët të denoncojnë korrupsionin.Ai ka kërkuar nga ministrat të jenë shumë më aktivë në komunikimin e tyre me qytetarët, duke u kërkuar atyre publikimin e numrave në faqet zyrtare të minsitrive madje i ka këshilluar të përdorin edhe Facebookun, si një mundësi shumë e vlefshme e komunikimit."Të gjithë ministrat të cilëve numrat u subvensionohen nga shteti t`i publikojnë numrat në faqet zyrtare të ministrive. Gjithashtu ministritë të kenë linjë falas ku qytetarët të paraqesin ankesat e tyre për korrupsionin, kjo të ngrihet brenda 10 ditëve. Unë ju këshilloj të shfrytëzoni edhe Facebookun. Unë u përgjigjem të gjithë qytetarëve. Madje shumë më pyesin se si gjej mundësi për t’u kthyer përgjigje. U them se kryeministri sado të bëjë për ju nuk e lan dot atë që ju bëni për kryeministrin”- tha ai.Berisha: Shqipëri-Kosovë, një Ligë FutbolliKryeministri Berisha ka kërkuar gjithashtu nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të punojë me homologun e tij kosovar për startimin e Ligës së Futbollit për të dy shtetet. Sipas tij, edhe pse jetojme ne 5 shtetet, nuk mund te jemi 5 kombe, jemi nje.“Zoti Ministër i Kulturës këtë vit duhet të fillojë veprimtarinë liga mbarë kombëtare e futbollit. Uluni dhe bëni projektin bashkë me ministrin kosovar. Ta quajmë mbarë kombëtare. Tifozi i Mitrovicës të vijë në shohë ndeshjen Flamurtari-Mitrovica. Të përfshihen të gjitha skuadrat. Kjo është rruga për të shpalosur të gjithë potencialet dhe talentet në futboll. Ta nisim me futbollin dhe të fuqizojmë tregun e futbollit për të ndjerë një numër sa më të madh yjesh”, tha kryeministri.Kryeministri Berisha kërkoi edhe heqjen e barrierave të valëve televizive mes dy shteteve.
Berisha: Të ngrihet komiteti i diasporës
Kreu i qeverisë kërkoi edhe ngritjen e komitetit të diasporës që sipas tij është një detyrim madhor që Shqipëria u ka shqiptarëve në 4 anët e botës."Fati na bëri që të kemi më shumë diasporë dhe në këtë aspekt duhet kërkuar ndjesë shqiptarëve kudo që janë që nuk ka qënë e mundur që të kenë mbështetjen e mirituar të Shqipërisë. Por unë i garantoj se realizimi i saj është përparësi madhore. Komiteti i diasporës do të bëjë gjitçcka për t`u gjendur afër shqiptarëve në 4 anët e planetit. Ky komitet do punojë për praktikat dhe skemat më të mira në mënyrë që të gjendemi më pranë tyre dhe më pranë njëri-tjetrit. Diaspora ka një rol historik në jetën dhe në betejat e shqiptarëve për liri dhe demokraci” shtoi Berisha.
Berisha: Janë rritur xhirot e sipërmarrjes dhe eksportetGjithashtu Kryeministri Berisha theksoi se gjatë vitit 2012 është rritur xhiroja e sipërmarrjes si dhe eksportet shqiptare duke përgënjeshtuar kështu edhe z1%rat se gjatë këtij viti është ulur fuqia blerëse."Ne e nisim këtë vit me optimizëm real. Unë dua të inforoj shqiptarët se viti që lamë pas në 10 mujorin e parë rezulton të ketë patur një rritje të xhiros nga 1 trilion e 346 miliard që ka qënë në 2011-ën është rritur në 2012-ën me 1 trilion e 447 miliard, pra ka pasur 101 miliard rritje. Të gjithë ata të cilët besojnë se ka rënë fuqia blerëse kanë një shifër të deklaruar nga biznesi që e përgënjeshtron në mënyrë ekzemplare. Në shkallë vendi ka një rritje solide të xhiros së përgjithshme të xhiros së sipërmarrjes së vendit. Ka një rritje të qëndrueshme që përgënjeshtroin idenë e rënies së fuqisë blerëse. Nuk mund të ketë xhiro pa fuqi blerëse. Gjithashtu eksporte shqiptare “Made in Albania” nga 97 miliard në 118.9 miliard, pra eksportet janë rritur me 80 përqind” tha Berisha.Gjithashtu kreu i qeverisë, ka njoftuar zyrtarizimin e ligjit për heqjen e TVSH-së për makineritë prodhuese për biznesin duke theksuar se ky vendim do të pasohet me të tjerë në ndihmë të sipërmarrjes.“Hyn në fuqi ligji për heqjen e TVSH për të gjitha makineritë prodhuese të të gjitha niveleve të bizneseve. Përfitojnë nga kjo të gjitha bizneset që kanë marrë makineri në përdorim nga jashtë. Ata mund t’i blejë ato makineri pa paguar TVSH, pra me këtë hap po edhe disa hapa të tjerë janë në shqyrtim e sipër ne japim një nxitje të madhe rritjes së prodhimit të vendit, punësimit të qytetarëve shqiptarë. Po shqyrtojmë së bashku me biznesin cdo hallkë të sipërmarrjes ku ne mund të lehtësojmë. I përmbahemi parimit se rruga më e sigurtë për tu mbrojtur nga kriza afatgjatë është të favorizojmë e lehtësojmë biznesin”tha Berisha.