Lazarat, vendorët: Të tërhiqet policia, popullësia në panik, fshati në “paralizë”
Lazarat- Pushteti vendor njëzëri kërkon tërheqjen e trupave policore nga Lazarati. Në një mbledhje të zhvilluar mesditën e sotme me përfaqësues nga administrata e komunës, pleqësia e fshatit, intelektualët dhe qeveria e nxënësve lidhur me situatën aktuale në Lazarat, ata kanë ngritur shqetësimin për paralizimin e jetës sociale, administrative dhe ekonomike në fshat.“Situata është mjaft e rëndë, prej 8 ditësh është paralizuar totalisht aktiviteti administrativ, ekonomik e social. E quajme sukses futjen e policisë në fshat pa viktima për neutralizimin e personave të huaj të inkriminuar. Është sukses hyrja e policisë në fshat për ndalimin e veprës së paligjshme të bimëve narkotike. Për ndërhyrjen e policisë, mendojmë se kishte mënyra më pak traumatike për komunitetin. Gjykojme se prezenca e forcave të policisë me blinda në cdo cep të fshatit është e panevojshme. Policia me blinda krijon situatë terrori psikologjik dhe pengon rrjedhën e përditshme të banorëve”është thënë gjatë mbledhjes.Nga mbledhja e vendorëve është rënë dakord dhe për grumbullimin e armëve, por sipas tyre jo me medoda që krijojnë panik në radhët e banorëve. Ndërkaq ata kanë paralajmëruar se do të kërkojnë takim dhe me prefektin dhe Drejtorin e Policisë së Shtetit për të paraqitur problematikat.“Armët në komunën tonë janë të pranishme që nga viti 1997, ashtu si në të gjithë Shqipërinë. Grumbullimi i armëve i nevojshëm, por jo me metoda që krijojnë panik, duke rikontrolluar disa herë të njëjtën familje.Ka nevojë për ndërhyrje të gjithanshme sociale, ekonomike dhe psikologjike nga shteti.Të krijohen marrëdhënie normale shtet - komunitet dhe të riparohen pasojat e kësaj ndërhyrjeje policor. Do kërkojmë takim me prefektin dhe Drejtorin e Policisë së Shtetit për të paraqitur problematikat”.(Në foto: deklarata e përbashkët nga komuniteti i vendorëve të Lazararatit pas mbledhjes)
