PS e Tiranës ceremoni me rastin e festave, shpallen fituesit e konkursit “Fotografo Ndryshimin”

Me rastin e festave të fundvitit, Partia Socialiste e Tiranës ka organizuar një ceremoni festive me të gjitha drejtuesit e strukturave të saj nga qendra deri në bazë si dhe me aktivistët më të spikatur. Ky aktivitet ka shërbyer edhe si një rast i mirë për të shpallur fituesit e konkursit online të organizuar nga PS, “Fotografo Ndryshimin”.Duke çelur ceremoninë kryetar i PS-së Tiranës, Sajmir Tahiri ka falënderuar fillimisht të gjithë të pranishmit për punën e tyre në forcimin e strukturave organizative të kësaj partie e më pas ka shprehur besimin se me të njëjtin përkushtim e këmbëngulje këto struktura do të vijojnë angazhimin e tyre në mbështetje të programit për një Rilindje Shqiptare, deri në betejën e 23 qershorit, që do të shënojë fitoren e padiskutueshme të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare.I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe kryetari i PS-së Edi Rama, i cili duke përshëndetur të pranishmit është shprehur:“Ju uroj në radhë të parë festat e fundvitit. Gëzuar edhe vitin e ri 2013, vitin e ndryshimit, vitin e fitores sonë në 23 qershor, vitin që do të hapë rrugën për Rilindjen Shqiptare për të cilën ne të gjithë së bashku jemi të vetëdijshëm se është detyra jonë që ta bëjmë realitet. Unë do të doja të falënderoja shumë njerëz këtu, mbase të gjithë një nga një, por kjo është plotësisht e pamundur dhe prandaj do të më lejoni që ta filloj me të rinjtë që kanë marrë pjesë në konkursin tonë online për Fotografinë e Ndryshimit. Në fakt ka qenë një pjesëmarrje shumë e gjerë, shumë e kënaqshme dhe ashtu si kundër ishte paraparë janë zgjedhur edhe 5 fitues nga vetë rrjeti social, jo nga ne. Dhe ata 5 fitues janë: Damiano Golemi, Jonida Spaho, Armando Ndreca, Geri Doko dhe Ervin Rama”.