Bashkia, dhurata për fëmijët e kopshteve dhe çerdheve

Bashkia e Tiranës është kujdesur që edhe në këtë fund viti, fëmijët e çerdheve dhe kopshteve të marrin një dhuratë simbolike. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ishte sot në çerdhen nr. 23 dhe ne kopshtin  nr. 8, ku u janë shpërndarë dhurata  fëmijëve.Kreu i Bashkisë ka falënderuar biznesin e Tiranës, për mbështetjen që i ka dhënë iniciativës së Bashkisë së Tiranës, që fëmijët të marrin një dhuratë simbolike, sikundër dhe familjet më në nevojë, një pako ushqimore."Sot, dua të ndalem, tek kënaqësia e veçantë që më jep fakti, që për të gjithë fëmijët e çerdheve në kryeqytet kemi siguruar pako dhuratash. Falënderoj për bashkëpunimin sektorin e biznesit në Tiranë. Dua t'i falënderoj edhe ata që i janë përgjigjur thirrjes së Bashkisë së Tiranës, për të na ndihmuar me paketa ushqimore, për disa nga shtresat në nevojë. Natyrisht, jo për të plotësuar të gjitha nevojat, por për të plotësuar sadopak disa prej nevojave më akute, në mënyrë që sa më shumë qytetarë të Tiranës, pavarësisht nga pamundësitë e tyre, të kenë një festë sa më të gëzuar dhe me kushte sa më të mira. Përkushtimi ynë ndaj çerdheve të kryeqytetit, ndaj fëmijëve të kryeqytetit në kopshte, në shkolla është përkushtimi ndaj të ardhmes, ndaj jo vetëm investimet, jo vetëm dhuratat në ditë festash por edhe programe të fuqishme për kualifikimin dhe rikualifikimin e stafit në këto çerdhe dhe për përqasjen sa më shumë të standardit të shërbimit të tyre, me standardin evropian janë dhe mbeten prioritet i Bashkisë së Tiranës"- u shpreh  Basha.Kryebashkiaku ka shprehur dhe vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për te përmirësuar rrënjësisht kushtet, në çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit."Përkushtimi ynë, natyrisht nuk  kufizohet vetëm në ditë festash. Ju e dini që në qytetin tonë, aktualisht kemi në rikonstruksion 7 çerdhe, ndërkohë që me buxhetin e vitit të ardhshëm  edhe 10 çerdhe të tjera do i nënshtrohen rikonstruksionit apo do të ndërtohen rishtazi, ndërkohë që të gjithë çerdhet do të kenë sistem ngrohjeje funksional, në mënyrë që dimrin tjetër, çdo centimetër katror i çerdheve të kryeqytetit, të sigurojë kushte optimale për vogëlushët tanë"  theksoi Basha.