Ali Ahmeti rizgjidhet kryetar i BDI-së: Asnjëherë nuk do t'ju zhgënjej

Maqedoni- 675 delegatë të Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim i ridhanë besimin Ali Ahmetit për të vijuar drejtimin e këtij subjekti politik.Në fjalën e tij, në Kongresin e tretë të partisë, Ahmeti i siguroi delegatët se nuk do t"i zhgënjejë dhe se bashkërisht, do të punojnë për të përmbushur misionet e BDI-së.“Unë ju siguroj se në asnjë moment nuk do të zhgënjeheni ashtu siç nuk ju kam zhgënjyer në 12 vite. Jam përpjekur bashkë me ju që të ndërtojmë vlera, parime, rregulla të cilat na kanë vlerësuar. Jam përpjekur të forcojmë kolegjialitetin, të marrim përsipër misione, sepse kështu forcohet lëvizja jonë që i ka rrënjët më të lashta nga 5 qershori. Misionarët e idealistët, qëllim parësor kanë interesat dhe jo lakminë, sepse lakmia të degjeneron, të tjetërson. Idealizmi dhe misioni të forcon dhe nderon, sepse materializon qëllimet dhe idealet për të cilat njerëzit e këtij kombi kanë punuar. Dhe ne përpiqemi ato vlera t’i çojmë përpara”, tha kreu i BDI-së.Ai iu referua edhe idesë së një presidenti apo kryetar Kuvendi shqiptar, duke thënë se “kjo do të ishte një krenari për shtetin dhe do të rriste besimin mes komuniteteve”.“Për të mirën e këtij vendi nuk do të tërhiqemi nga këto qëllime dhe me vjen keq që bashkëqytetarët tanë maqedonas janë më të kompleksuar. Për ata që s"e kuptojnë se çka është fryma e MO-së… ajo është që të heqim mykun nga koka dhe të mos jetë pengesë presidenti shqiptar apo kryeministri e kryetari i parlamentit. Kemi shumë punë, probleme që duhet të zgjidhen por duhet guxim dhe lidershipi në Maqedoni duhet të punojë, ka përgjegjësi të mëdha”, theksoi Ahmeti.Ai u shpreh i shqetësuar edhe nga situata aktuale politike, si pasojë e vendimit të opozitës për të kthyer mandatet.“Opozita ka vendin në Parlament. Zaev mund të vlerësojë si tendencë këtë që them unë, por unë i them atij që unë i kam provuar para tij këto punë. Nga përvoja e jetës sime, në periudhën 2006-08 ne nuk dorëzuam mandatet, por shtruam çështje dhe zgjidhje nëpër institucione. Le të mësojë nga praktika e BDI-së”, deklaroi kreu i BDI-së.Duke iu referuar çështjes së formimit të qeverisë, Ahmeti tha se BDI është tërhequr nga disa cështje për të përqendruar të gjitha forcat tek integrimet, sepse siç u shpreh ai nuk ka asgjë më të rëndësishme se paqja dhe integrimi.Më pas janë votuar edhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm.