Greqi, zbulohet thesari 2 miliardë eurosh në bodrumin e Bankës

Greqi - Mes krizës dhe masave shtrënguese, ajo që ka ndodhur në Greqi mund të konsideohet veçse mrekulli.Një thesar me vlerë 2 miliardë euro është zbuluar në bodrumet e Bankës Shtetërore. Lajmi i mirë është dhënë nga Ministria e Financave.Zv.Ministri Staikouras ka njoftuar se do të shfrytëzohet nga Qeveria për të zbutur barrën e rëndë sociale.Në njoftimin për mediat greke, u theksua se thesari përmban shufra floriri, bizhuteri të sekuestruara ndër vite, piktura, vepra arti e mijëra sende të tjera me vlerë por edhe para.Përmes një projektligji, Qeveria do të mundësojë përdorimin e këtij thesari në shërbim të zgjidhjes së disa prej problemeve kryesore ekonomike në vend.Nisma ligjore për të vënë në shërbim thesare të tillë ka nisur që në dhjetor të vitit që shkoi, me qëllim  ndryshimet në legjislacion.Përmes kësaj nisme, komisioni i posaçëm  ka si qëllim kryesor të identifikojë dhe kategorizojë objekte ku mund të ketë sende me vlerë që të vihen në shërbim të politikave ekonomike, përfshirë këtu jo vetëm bankat shtetërore, por edhe biblioteka të vjetra apo institucione të tjera.Problemet me të cilat po përballet vendi fqinj janë të shumta, duke nisur nga papunësia, që është mbi 26%, ndërkohë që rrogat e pensionet janë ulur në masën 50%.Ky zbulim do të kontribujë sadopak në përpjekjet e Qeverisë greke për të parandaluar falimentimin e vendit.