Balla vijon akuzat ndaj fëmijëve të Berishës

Partia Socialiste vijoi edhe sot në denoncimin e pasurisë së fëmijëve të kryeministrit, Sali Berisha.Në një deklaratë për shtyp, deputeti Taulant Balla kërkoi nga fëmijët e kryeministrit që tu tregojnë shqiptarëve se si mund të vihen këto para.“Të dy fëmijët e Berishës i detyrohen një shpjegim shqiptarëve të thjeshtë, mësuesve të thjeshtë, se si ka mundësi që Argita dhe bashkëshorti i saj vetëm me mësimdhënie në një vit shkollor fitojnë 210 mln lekë, në një kohë kur mësimdhënia në këtë vend të qeverisur nga babi është kthyer në një profesion shumë pak të paguar” theksoi Balla.Deputeti Balla i është referuar edhe deklaratës më të fundit të dy fëmijëve të kryeministrit të cilët theksojnë se me Ballën do të përballen në gjyq.“Fëmijët e babait bëjnë mirë t’i lënë kërcënimet, pasi nuk kanë për t’ja dalë edhe në këto 5 muaj që ju kanë mbetur, ashtu siç nuk ia kanë dalë deri tani. Kalamajtë e babit mund të hapni gjyqe sa të doni, dhe ti fitoni me ushtarët e babit, por s’mund të mohoni qeverisjen e korruptuar të babait tuaj”- theksoi ai.Balla paraqiti para gazetarëve deklaratën zyrtare të pasurisë së  vajzës së kryeministrit, në të cilën thuhej se ajo fitonte 10 milionë lek rrogë neto në Fakultetin e Drejtësisë, 84 milionë lek nga mësimdhënia në fakultete private dhe 35 mijë euro në fakultete të tjera private. 70 milionë merr Jamarbëri, tha Balla.Deputeti socialist po ashtu shtroi disa pyetje publike për fëmijët e kryeministrit ku kërkoi shpjegime për bizneset të cilët janë konsultuar me fëmijët e kryeministrit, nëse ato kanë patur përfitime në para publike, licenca, apo koncesione.