Krasniqi: Vendimi i FIFA-s refuzues, konteston ‘98 njohjet e Kosovës
Federata e Ndërkombëtare e Futbollit në vendimin që ia ka dërguar Federatës së Futbollit të Kosovës, thekson se Republika e Kosovës nuk mund të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore në territorin e Kosovës, pa lejen paraprake të Serbisë, si dhe nuk lejon flamurin dhe himnin shtetëror në ndeshjet miqësore ndërkombëtare jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Ky është një vendim i pa drejtë dhe i papranueshëm më të cilin FIFA rrezikon të shkel mbi parimet themelore sportive, e mbi të gjitha të drejtat elementare njerëzore, thuhet në një deklaratë të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.Sipas tij, me këtë vendim, FIFA konteston edhe shtetësinë e Kosovës të njohur nga 98 vende, që përbejnë shumicën e shteteve anëtare të OKB-së dhe nga disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare siç janë FMN, Banka Botërore, BERZH, etj.“Ne këtë vendim e konsiderojmë si puro politik, në kundërshtim me të drejtën e të rinjve tanë, te shtetit tonë për të qenë të barabartë në garat ndërkombëtare futbollistike. Ndonëse lajmi i parë nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, edhe pse gjysmak, ishte mirëpritur nga të gjithë ne në Kosovë, tash del se FIFA në fakt po na i mbyll edhe më shumë dyert dhe po refuzon kërkesën tonë të drejtë, njerëzore që të luajmë futboll”, thuhet në deklaratë në të cilën shtihet se ky është një nga lajmet më të papritura dhe të çuditshme, duke ditur misionin që ka sporti për të bashkuar dhe miqësuar njerëzit anekënd botës, pa marrë parasysh përkatësitë etnike, shtetërore, fetare, racore etj.“Gjithë angazhimi ynë në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës ka qenë i bazuar në parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit. Po ashtu me të njëjtat parime, dhe duke pasur gjithnjë në mendje parimet profesionale, ne kemi punuar për vite me radhë, në kushte të vështira, për të zhvilluar sportin, e në këtë rast futbollin në Kosovë, dhe për t’iu mundësuar të gjithë qytetarëve që të përqafojnë frymën sportive”, vazhdon deklarata.Sipas ministrit Krasniqi, vendimi i FIFA-s është në fakt një vendim refuzues. “Prandaj, pa dëshirën tonë ne jemi të detyruar që të gjejmë rrugë dhe mundësi për të realizuar të drejtën tonë elementare.Ne do të mbështesim Federatën e Futbollit të Kosovës që të shfrytëzojë të gjitha mjetet dhe metodat ligjore duke adresuar çështjen tonë në instancat më të larta vendimmarrëse sportive”, përfundon deklarata me zotimin do të punohet me gjithë potencialin që të thyhet ky izolim i padrejtë që po i bëhet tash e shumë vjet sportistëve të KOSOVËS.