Rama: Në 2013 Shqipëria në drejtimin e duhur
rinjtë vlonjatë i janë bashkuar me shumë entuziazëm Manifestit “Unë jam FRESSH”, duke mbushur Sheshin e Pavarësisë, si asnjëherë më parë nga një forum rinor politik. Sekretari për Rininë në PS, Erion Veliaj u ka bërë thirrje të rinjve të bëhen protagonistët e ndryshimit të 2013.Duke shfrytëzuar simbolikën e sheshit të Pavarësisë, ai ka theksuar se ashtu si 100 vjet më parë Shqipëria kishte nevojë që njerëz të përgjegjshëm të merrnin fatet e vendit në dorë, edhe sot kur shteti ynë mbushi 100 vjet ka nevojë që të rinj të aftë, të përgjegjshëm dhe me energjitë e duhura t’i japin forcë ndryshimit, drejt të ardhmes europiane të vendit.Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama nuk e ka fshehur aspak entuziazmin dhe kënaqësinë e një pjesëmarrjeje kaq masive të të rinjve vlonjatë në këtë nismë.“Në 23 qershor ne do ta përmbysim këtë botë që na është imponuar përmes votave të vjedhura, përmes padrejtësish të përditshme, përmes mungesës së plotë të vizionit, të projektit, të ideve dhe të aftësive për ta çuar Shqipërinë aty ku meriton, në Familjen Europiane, si anëtare me të drejta të barabarta të asaj familjeje. Për t’i dhënë mundësi të rejave dhe të rinjve të këtij vendi që nesër të mos jenë qytetarë të dorës së dytë të Bashkimit Europian. Por, të jenë europianë mes europianëve të shkolluar, të stërvitur, të gatshëm që të përballojnë rrugët e gjera të konkurrencës jo vetëm brenda Shqipërisë, po kudo nëpër gjithë Europën. Dhe, jo vetëm të detyruar që ta braktisur atdheun për t’u bërë europianë të aftë në Europë, por duke qëndruar në Shqipërinë e përbashkët të mund të përballen me sfidat e Europës së Bashkuar, pa asnjë kompleks inferioriteti, pa asnjë mangësi”, u ka thënë të rinjve vlonjatë kreu i PS-së.Kryetari Rama ka theksuar se në 23 qershor bota jonë, bota shqiptare, do të ndryshojë që Shqipëria të shkojë në drejtimin e duhur. Sipas tij kontrasti midis asaj që do të bëjnë socialistët në qeverisje me atë politikat rrënuese të qeverisë aktuale është shumë i madh.“Një Shqipëri ku të ketë mbështetje për çdo ide për të bërë biznes dhe jo shkatërrim të biznesit në emër të një grushti klientësh të pushtetit. Një Shqipëri që të ketë taksim të ndershëm dhe jo taksë të sheshtë që bën që mësuesit të paguajnë më shumë taksa se ministri arsimit, apo polici të paguajë më shumë taksa se ministri i brendshëm. Një Shqipëri ku shërbimet merren sipas nevojave jo sipas xhepit, ku gjithkush që ka nevojë për kujdes shëndetësor ta marri atë kujdes dhe pse mund të jetë i papunë dhe për pasojë i pasiguruar. Apo dikush që dëshiron të shkojë më tutje, të arsimohet më shumë të mund ta bëjë këtë edhe sikur familja e tij të jetë e varfër, sepse arsimimi nuk është një e drejtë që blihet, po është një e drejtë që garantohet për të gjithë. Për të gjithë ata që duan të shkojnë përpara, që kanë talentin e nevojshëm pavarësisht se mund të mos t’i kenë paratë e nevojshme. E pra, një Shqipëri ku ne të gjithë së bashku të mund të themi; Po ishim ne të gjithë së bashku që kthyem një faqe dhe hapëm një faqe të re në historinë tonë”, ka përfunduar angazhimin e tij kreu i Partisë Socialiste.Vlora ka qenë stacioni i fundit për këtë vit i mobilizimit të të rinjve socialistë nëpërmjet manifestit “Unë jam FRESSH”.